Sparkes: Veriu drejt përshkallëzimit

Zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes ka deklaruar se situata në veriun e vendit po shkon drejt përshkallëzimit. Ai ka kërkuar që banorët atje ta mbajnë qetësinë dhe t’u besojnë autoriteteve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, duke thënë se po vazhdojnë hetimet për ta ndriçuar rastin e vrasjes së Selver Haradinajt.
Ish- ambasadori britanik, tani zëvendësshef në EULEX, Andy Sparkes, në një intervistë për RTV21, ka mohuar që EULEX-i të ketë kontakte me strukturat ilegale, ndërkaq ka thënë që MUP-i i Serbisë nuk guxon të jetë i pranishëm në atë territor.
Ai vlerëson se situata në veriun e vendit vazhdon të jetë e tensionuar, me mundësi të përshkallëzimit, marrë parasysh incidentet e fundit. Ai deklaroi se çdo akt edhe më i vogli mund të provokojë situatën edhe ashtu të brishtë.
“Është e qartë se situata është shumë e tensionuar dhe të dyja palët janë nervoze dhe të brengosura për qëllimet e njëra tjetrës. Çdo akt edhe më i vogli mund të provokojë situatën, ndërkohë ka shumë spekulime dhe atmosfera është shumë e rëndë. Unë apeloi tek njerëzit që të mbajnë qetësinë dhe t’i besojnë autoriteteve përgjegjëse kosovare apo ndërkombëtare dhe të lejojnë që situata të qetësohet”, tha ai.
Situata, sipas tij, është duke u përshkallëzuar për shkak që njerëzit janë gjithnjë e më të brengosur dhe kjo mund të shpie tek ndonjë reagim i tepruar për shkak të incidenteve, gjë që mund të provokoi dhunë.
“Situatën duhet ta mbajmë të qetë dhe nën kontroll, shembull unë dëgjova thashetheme për një incident në Suhodoll dhe nëse kjo është e vërtetë nevojitet që sa më shpejt të hetohet rasti, kurse popullata duhet të mbajë qetësinë, ndryshe këto incidente mund të provokojnë ngjarje më serioze”, ka thënë Sparkes. /Telegrafi/