Serbët e veriut të Kosovës vazhdojnë t’i shfrytëzojnë rrugët alternative, pavarësisht se ato cilësohen si vendkalime ilegale – si nga institucionet e Kosovës, ashtu edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë.
Këtë e pohojnë edhe politikanët serbë të Kosovës, ndonëse pikëpamjet e tyre lidhur me këtë çështje janë të ndryshme.
Marko Jaksic, politikan serb nga veriu i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shfrytëzimi i rrugëve alternative nga serbët – e jo i vendkalimet kufitare legale 1 dhe 31 – bëhet si reflektim i refuzimit të tyre për ta njohur shtetin e Kosovës.
Ndërsa, Randjel Nojkic, politikan serb nga Kosova qendrore, thotë se rrugët alternative gjithnjë e më pak po shfrytëzohen nga qytetarët serbë. Sipas tij, shfrytëzimi i rrugëve alternative është ilegal, sidomos pas marrëveshjes për qarkullim të lirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Para se gjithash ato (rrugët alternative) i shfrytëzojnë disa grupe ekstreme dhe disa liderë të cilët po përpiqen të tregojnë se si serbët e veriut nuk dëshirojnë t’i shfrytëzojnë vendkalimet kufitare legale”, thekson Nojkic.
Mundësinë që rrugët ilegale të shfrytëzohen për kontrabandë të mallrave, këta politikanë serbë e shohin në mënyra të ndryshme.
“Kontrabanduesit për serbët dhe Serbinë nuk ekzistojnë, duke pasur parasysh se serbët ndaj shtetit të tyre i kryejnë të gjitha obligimet e mundshme ligjore... Sa i përket shtetit të Kosovës, kjo është një çështje tjetër. Serbët nuk kanë ndonjë obligim ndaj tij”, shprehet Jaksic.
Nojkic mendon ndryshe.
“Mendoj se kjo (kontrabanda) ndodh gjithmonë e më pak. Ndoshta në sasi shumë të vogla. Përndryshe, sa u përket sasive të mëdha, jam krejtësisht i sigurt - dhe këtë e kam parë me sytë e mi - se xhandarmëria serbe nuk e lejon asnjë kamion që të kalojë nëpër ato vendkalime”, thotë ai.
Zyrtarët e KFOR-it ditë më parë kanë paralajmëruar se do t’i mbyllin të gjitha rrugët alternative dhe ilegale në veri të Kosovës, në kufirin me Serbinë. I kontaktuar nga REL, zëdhënësi i KFOR-it, Uwe Nowitzki, nuk deshi të japë sqarime se çfarë është duke bërë KFOR-i në këtë drejtim.
“Nuk flasim për qasjen tonë operacionale. Porta 1 dhe 31 - si pika zyrtare kufitare - janë të hapura. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve që t’i përdorin ato për kalim”, u shpreh Nowitzki.
Që nga vera e vitit të kaluar - pas vënies nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31 nga ana e institucioneve të Kosovës - serbët në vazhdimësi i kanë shfrytëzuar rrugët ilegale në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.