Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Behar Selimi ka thënë se kërkesa për përfshirjen e FBI-së në hetime rreth rastit të Dino Asanajt, ka qenë e panevojshme. Sipas tij, nga ekzaminimet ka rezultuar se ish–shefi i AKP-së ka bërë vetëvrasje. Por, deputeti Selimi vlerëson se ftesa hetuesve amerikanë u është bërë më shumë për të vërtetuar rezultatet, meqë besimi i qytetarëve në institucionet kompetente është lëkundur.
Për Behar Selimin kërkesa e Qeverisë së Kosovës drejtuar FBI`së për të ndihmuar në rastin e Dino Asanaj, ka qenë e panevojshëm.
Ai ka thënë se ekspertizat e kryera dhe fjala përfundimtare që ka dhënë Mjekësia Ligjore, se ish-shefi i AKP`së ka bërë vetëvrasje, kanë mjaftuar që hetimet e mëtutjeshme t`i kryejë Prokuroria dhe Policia e Kosovës.
Selimi ka thënë të hënën për Express se ky rast nuk ka qenë edhe mjaft kompleks që të kërkohet ndihmë nga Byroja Federale e Hetuesisë, meqë rezultat e përfundimtare kanë treguar se Dino Asanaj ka bërë vetëvrasje.
“Ekspertët e FBI-së do të mund të angazhohen në kuadër të bashkëpunimit bilateral profesional mes dy prokurorive të shteteve tona, për rastin konkret kemi mjafte ekspertizë për të nxjerrë të vërtetën. Pra, s’ka nevojë për ekspertizë nga jashtë”, ka thënë Selimi.
Sipas tij, sikur edhe një plak i vetëm e në moshë i FBI-së po të vinte në Kosovë për të ndihmuar rreth këtij rasti për shkak të dilemave të shumta, do të forcohej edhe më shumë e vërteta përfundimtare që ka dalë nga autopsia e kryer në Mjekësinë Ligjore.
“Ftesa eventuale për ekspertë të FBI-së mund të ndihmojë që qytetarët t’iu besojnë përfundimeve të hetuesisë sonë, sepse për qytetarët akoma ka dilema e mëdyshje në sistemin e drejtësisë”, thotë Selimi.