Nuk ndjehet i tradhtuar nga partia

Tri ditë pas dorëheqjes së tij nga posti i zv. kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ditën e tij të punës të hënën e ka filluar në Universitetin e Prishtinës, duke ua mbajtur provimin e radhës studentëve të Fakultetit Filozofik. Ai nuk ndjehet i tradhtuar nga partia, pjesë e së cilës është, ndonëse disa deputet nga partia së cilës i takon edhe ai votuan kundër heqjes së neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal.

Tashmë ish-zv. kryeministri Kuçi thotë se po ndihet mirë, sepse veprimi i tij ishte bashkim i moralit dhe i politikës, sepse mosveprimi i tij do t’ia ulte kredibilitetin, pasi që e kishte dhënë një premtim publik se do të tërhiqet nga postet qeveritare nëse Kuvendi i Kosovës kalon nenin 37, 38 të Kodit Penal.
Kuçi vlerëson se nuk e tradhtoi partia, pjesë e së cilës është, pasi që dihet se disa nga deputetët e kësaj partie votuan kundër heqjes së neneve. Por, thotë se disa nga deputetët menduan që përmes Kodit do t’i ndalin atakimet që mediet po ua bëjnë atyre. Kurse mohon që largimi i tij ka të bëjë me riformatimin e Qeverisë, ku Kuçi ka mundësi të kthehet sërish, pasi që ish-shefi i tij ende nuk i ka kthyer përgjigje zyrtare pas dorëheqjes në letër që ia ka dërguar më 22 qershor.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ish-zv. kryeministri Kuçi thotë se do të vazhdojë punën në Universitetin e Prishtinës.
Ai po ashtu thotë se dorëheqja e tij nga postet e larta qeveritare ishte bërë vetëm për shkak të miratimit të neneve antimedia në Kuvendin e Kosovës. Ai nuk ua zë për të madhe bashkëpartiakëve, vota e të cilëve shkaktoi dorëheqjen e tij.
Puna e tij në Qeveri thotë se ka marrë fund të premten e kaluar, ndërsa thotë se nuk e ka synim as pozitën e kryenegociatorit, as atë të kandidatit të PDK-së për president të Kosovës, e as të rektorit të Universitetit të Prishtinës.