Autonomia e veriut të Kosovës?

Në qarqet ndërkombëtare janë paraqitur kohët e fundit disa ide për zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës. Ndër to është edhe propozimi për autonominë e veriut të vendit

 Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare kanë ofruar disa plane dhe ide për zgjidhjen e problemit të serbëve të veriut të Kosovës. Ndër propozimet e fundit është ai i Stefan Lehnes, ekspert i fondacionit Carnegie, i cili thotë se në kuadër të bisedimeve teknike mes Prishtinës dhe Beogradit duhet shtruar edhe mundësia e autonomisë së veriut të Kosovës.
Dialogu teknik ka shtjelluar shumë tema të rëndësishme dhe në qarqet ndërkombëtare tani po mendohet edhe për hapat tjerë që duhet të vijnë pas kësaj faze të bisedimeve, pohon për DW Predrag Simic, politolog nga Beogradi.
“Por, më duket se në këtë moment nuk ekziston ndonjë vullnet në Prishtinë që serbëve t'u jepet ndonjë autonomi, ndërkohë që as serbët nuk do ta pranonin atë. Mendoj se këto gjëra me të vërtetë nuk do të jenë të lehta dhe se ekziston mundësia që dialogu të ndërpritet për një kohë më të gjatë, e që mund të bllokojë edhe fillimin e negociatave të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nuk e besoj se ndonjë qeveri e re do të pranojë këto kushte të bashkësisë ndërkombëtare - ku Kosova është kushti kryesor për anëtarësim në një BE të dobësuar“, mendon Simic.
Fuqitë perëndimore kanë vendosur të merren seriozisht me çështjen e veriut të Kosovës, ndër tjerash edhe për shkak të angazhimit më të fuqishëm të Rusisë në Ballkan, thotë Ognjen Pribicevic nga Instituti i Shkencave Shoqërore.
“Vështirë është të paramendosh se Prishtina ka hequr dorë nga veriu. Por, as Beogradi nuk do të heqë dorë nga qëndrimet e veta. Në këtë kuptim, mendoj se zgjidhja më e mirë do të ishte një sovranitet i dyfishtë ku shkollimi, institucionet juridike dhe gjëra tjera të jetës së përditshme të ishin në duart e organeve lokale, të cilat do të vendosnin për zhvillimet në këtë rajon. Autonomi të tilla ka edhe në Evropë“, pohon ai.
Çështja e autonomisë duket kontradiktore. Nga njëra anë kërkohet zhbërja e institucioneve paralele e nga ana tjetër flitet për autonomi. Pribicevic thotë se ky është paradoks më vete.
“Autonomia nënkupton edhe institucionet dhe shtohet pyetja se cilat do të jenë kompetencat e tyre. Mendoj se zgjidhja mund të gjendet në sovranitetin e dyfishtë i cili do t'i mundësonte Prishtinës dhe Beogradit të thonë se ata e kanë kontrollin mbi këtë pjesë. Ndryshe, problemet nuk do të zgjidhen, sepse asnjëra palë nuk do të heqë dorë nga qëndrimet e veta. Siç e kemi parë edhe për çështjen e prezantimit është arritur zgjidhje, ku secila palë thotë se ka fituar“, pohon ai.
Perëndimi me siguri që është i interesuar që çështjen e Kosovës ta heqë sa më shpejtë nga rendi i ditës, por është po ashtu e sigurt që edhe Moska ka qëndrimet e veta, mendon Simix. Rusia do që serbët e Kosovës të futen në negociata nga pozicione më të fuqishme dhe jo si të dobët dhe çështjen e veriut e shikon si një çështje e prestigjit.
“Të gjitha këto ide natyrisht që nuk nënkuptojnë heqjen dorë të Perëndimit nga njohja e pavarësisë së Kosovës. Por, tani më nuk flitet që çështja e Kosovës është punë e kryer”, pohon Pribicevic.