Disa ditë pasi kryeparlamentari Jakup Krasniqi kërkoi ndryshime në ekipin negociatior të Kosovës në bisedime me Serbinë, ekzekutivi i vendit nëpërmjet zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi e ka mbrojtur fuqishëm punën dhe vetë udhëheqësen e këtij ekipi, Edita Tahiri.
Pas mbledhjes së qeverisë ai tha se qëndrimet që ka prezantuar ekipi i Kosovës në Bruksel janë të Qeverisë së Kosovës dhe si të tilla kanë pasur mbështetjen e plotë. Ai tha se në ekzekutivin e vendit nuk ka ekzistuar deri më tash dilema për punën e ekipit negociues të Kosovës, raporton RTK.
Kuçi ka folur sërish për paralajmërimet e Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në territorin e Kosovës. Ai tha se qëndrimi i Kosovës tashmë dihet se ato zgjedhje do të trajtohen si ilegale dhe pa asnjë efekt politik. Ai tha se do të ndërmerren edhe plane për parandalimin por edhe mosmbajtjen e tyre.
Kuçi përsëriti se Pakoja e Ahtisaarit është zgjidhja e vetme për veriun e vendit. Ai tha se askush nuk mund të propozojë zgjidhje të dyfishta për serbët në Kosovë, sepse në atë mënyrë do të prishej balanca e të drejtave etnike.