PDK-ja çdo herë ka besuar në pafajësinë e Limajt

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, i drejtuar nga kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, analizoi situatën politike aktuale në Kosovë dhe përshëndeti vendimin për përmbylljen e Mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës, si fazë e pjekurisë dhe stabilitetit të institucioneve të Kosovës.

Këshilli Drejtues i PDK së mirëpret lajmin për lirimin nga paraburgimi të Fatmir Limajt, nënkryetar i PDK-së dhe deputet i Kuvendit të Kosovës. “PDK-ja çdo herë ka besuar në pafajësinë e Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij dhe në luftën e drejtë të UÇK-së”, thuhet në komunikatë.
Këshilli Drejtues i PDK-së po ashtu mbështet procesin e reformave demokratike dhe vendimin e Kryesisë së PDK-së që ta formojë Kabinetin e Qeverisjes së Mirë për Prishtinën, si domosdoshmëri për qeverisje evropiane dhe për ta shpëtuar kryeqytetin nga kaosi dhe keqqeverisja.
Këshilli Drejtues i PDK-së në këtë mbledhje mori vendim që të fillojë edhe procesi i zgjedhjeve brenda PDK-së. Ky këshill u pajtua që t’i propozojë Kongresit moton e re: PDK për Kosovën Evropiane.