Pas arrestimit nga autoritetet serbe të shtetasit të Kosovës, Haxhi Kastrati, ministri i Punëve të Jashtme,Enver Hoxhaj, iu ka drejtuar me një letër të gjithë ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, nga të cilët ka kërkuar të ushtrojnë trysni ndaj Serbisë për lirimin e menjëhershëm të shtetasit të Kosovës.
“Ky arrestim ka motive krejtësisht politike dhe synon të shkaktojë pasiguri tek qytetarët e Kosovës, të cilët kalojnë transit nëpër këtë shtet fqinj. Ky arrestim arbitrar hyn në vazhdën e arrestimeve të mëhershme që autoritetet e shtetit serb kanë bërë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës vetëm pak muaj pas arritjes së marrëveshjes për lëvizjen e lirë midis Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, në kuadër të dialogut teknik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në letrën e ministrit Hoxhaj.
Përmes kësaj letre, ministri Hoxhaj i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe BE-së që të bëjnë trysni tek autoritetet serbe që të lirojnë menjëherë Haxhi Kastratin dhe të mundësojnë lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët.
Haxhi Kastrati, 34 vjeçar, nga fshatit Zatriq i Komunës së Rahovecit, u ndalua të enjten rreth orës 4.00 të mëngjesit menjëherë sapo kishte hyrë në territorin serb, derisa po udhëtonte nga Austria për në vendlindje së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tij.