Giffoni: Për një të ardhme paqësore

Përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Prishtinë besojnë se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë në një atmosferë të qetë mund t'i kontribuojnë uljes së tensioneve në raportet Beograd-Prishtinë, përderisa politikanët lokalë serbë janë të bindur se kjo mund të arrihet vetëm me zbatimin e politikave të përgjegjshme nga lidershipi i të dyja palëve.

Në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, ambasadori italian në Prishtinë, Michael Giffoni dhe deputetja e Listës së Unifikuar Serbe (JSL) në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkovic kanë komentuar rrjedhën e procesit elektoral, duke dhënë vlerësime edhe mbi formulën e realizimit të tyre, ndikimin e mundshëm në dialogun Prishtinë-Beograd dhe integrimin apo jo të komunitetit serb në institucionet kosovare.
Ambasadori Giffoni ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve në një atmosferë të qetë dhe paqësore është e rëndësishme për rrjedhën e mëtutjeshme të dialogut Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.
"Ky është një rast i mirë që komunitetit serb në Kosovë i është mundësuar që të ushtrojë të drejtën e votimit në zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale të Serbisë. Mendoj se nëse ka pjesëmarrje të mirë dhe gjithçka shkon pa tensione, sikur që ka qenë deri tani, ky proces do të jetë një kontribut i madh për të ardhmen, për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, për të cilin besojmë se pas zgjedhjeve të Serbisë do të vazhdojë në një atmosferë më të mirë dhe më pozitive", ka thënë Giffoni, gjatë vizitës në Prizren, ku ka marrë pjesë në liturgjinë festive në Kishës ortodokse të Shën Gjergjit, transmeton Koha.net.
Ai ka shpjeguar se të dielën në mëngjes kishte vizituar qendrat mobile të votimit të lehtësuara nga OSBE-ja në Graçanicë dhe në Novobërdë, ku atmosfera zgjedhore ka qenë e qetë dhe paqësore.
Në anën tjetër deputetja e JSL-së, Rada Trajkoviq, e cila të dielën në mëngjes kishte shfrytëzuar të drejtën e saj të votimit, ka pohuar se procesi elektoral serb në Kosovë po zhvillohet në përpikëri me dispozitat e përshkruara në planin e Ahtisaarit, ”porse një gjë e tillë nuk po pranohet nga Beogradi zyrtar, që tregon se politika në rajon vazhdon të jetë jo e sinqertë përballë opinionit publik”.