Lugina e voton Zukorlicin

Subjektet politike shqiptare në Luginë të Preshevës po marrin pjesë në zgjedhjet lokale, ndërkohë “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës” po merr pjesë edhe në zgjedhjet parlamentare. Për ato presidenciale në Luginë raportohet se shqiptarët do ta përkrahin Myftiun e Sanxhakut, Muamer Zukorlicin, për president të Serbisë.

Mediet shqiptare nga Lugina raportojnë se në komunën e Bujanocit janë paraqitur disa probleme me listat e votuesve, njofton KTV.
Qytetarët shprehin mllefin e tyre duke thënë se kjo është bërë me qëllim të uljes së numrit të votuesve shqiptarë. Ata kanë thënë se në listat e votueseve ka raste ku nuk gjendet fare emri, pavarësisht asaj që i kanë pranuar ftesat për të votuar.
Këto zgjedhje posaçërisht të rëndësishme janë për komunën e Bujanocit ku përqindja mes shqiptarëve dhe serbëve është pothuajse e barabartë. Kjo komunë, e cila është udhëhequr prej dy mandatesh nga shqiptarët, rrezikon këtë herë të merret nga serbët, për shkak se shumë shqiptarë nga lugina janë shpërngulur drejt Kosovës.