Shefi i ekipit serb për dialog me Kosovën, Borislav Stefanovic ka deklaruar se nuk ka marrëveshje sekrete nga Brukseli. Ai ka thënë për Tanjug se bisedimet ndërmjet Beogradit e Prishtinës duhet vazhduar dhe se ato mund të ngritën në nivel më të lartë politik.
Në intervistë për mediet e Beogradit, Stefanovic ka thënë rrëfimet për “dokumente sekrete shërbejnë vetëm për mbledhje të poenëve politikë dhe jo krijimit të koordinimit të qartë e të bashkëpunimit politik ndërmjet qeverisë dhe kryetarit të Serbisë”.
Ai ka shtuar se çështjet që kanë mbetur për dialog janë shumë konkrete dhe duhet bërë çdo gjë që ato të zgjidhen ashtu që të mos prekën interesat tona.
“Ne po hyjmë në situatën kur duhet gjetur zgjidhje për çështjen e veriut të Kosovës, garanci të posaçme për serbët në anën tjetër të Ibrit, çështjen e kishave e të manastireve dhe të pasurisë sonë”, ka thënë Stefanovic, njofton Koha, duke shtuar se të gjitha këto kërkojnë ngritjen e dialogut në nivel më të lartë.
Stefanovic ka tërhequr vërejtjen se teza e Nikolicit për të udhëhequr bisedimet është e rrezikshme, pasi “në këtë mënyrë faktikisht do të njihej pavarësia e Kosovës”. “Nëse ulën dy kryetarë, qoftë dhe ai tjetri (Atifete Jahjaga) që për ne nuk është kryetar, kjo de facto është njohje e pavarësisë”, ka thënë Stefanovic.