Marrëveshjet e bisedimeve (nuk) duhet ratifikuar!

Opozita i kërkon Qeverisë t’i sjellë në Kuvend për ratifikim marrëveshjet e bisedimeve. Kjo bëhet pas një deklarata të ministrit Enver Hoxhaj, i cili ka pranuar se marrëveshjet e Kosovës me Serbinë kanë karakter ndërkombëtar.

Nëse janë ndërkombëtare, ato duhet të sillen në Kuvend, thonë deputetët opozitarë, ndërsa ka prej tyre që nuk mohojnë mundësinë të marrin një nismë në Kuvend për ratifikim të marrëveshjeve. Por ka edhe deputetë që kritikojnë se deklaratat e qeveritarëve për bisedimet nuk duhet të merren seriozisht, njofton KTV, raporton Koha.net
“A janë marrëveshjet e dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë ndërkombëtare? Në interpretimin tonë janë ndërkombëtare”. Kjo deklaratë e ministrit të Jashtëm ka nxitur opozitën të kërkojë që ato marrëveshje të futen në procedurë parlamentare për ratifikim.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, një marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend ratifikohet vetëm nëse për të votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve. Deri më tash asnjë marrëveshje bisedimeve të Brukselit, të cilat quhen edhe konkluzione, nuk i janë dërguar Kuvendit nga Qeveria për ratifikim.
Ndërsa, lëvizja Vetëvendosje lë të hapur mundësinë të ndërmarrë një iniciativë parlamentare që ato marrëveshje, nëse janë ndërkombëtare, të vijnë në Kuvend për ratifikim. Partia tjetër opozitare, AAK-ja, vlerëson se nuk duhet të merren serioze deklaratat e qeveritarëve, ndërsa kritikojnë qeverinë se nuk po ka guxim t’i sjellë marrëveshjet në Kuvend.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, që në vazhdimësi ka kritikuar bisedimet, ka kërkuar po ashtu ratifikimin e marrëveshjeve në legjislativ. Ndërsa, shefja e delegacionit kosovar në bisedime, Edita Tahiri, është arsyetuar se ato nuk kanë nevojë për ratifikim në Kuvend, ngase janë vetëm marrëveshje për çështje teknike.