Serbia përballë presionit të GDN-së

Zyrtarët serbë mohojnë prezencën e forcave të tyre të sigurisë në Kosovë, përkundër apelit të 24 janarit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, që Serbia të përmbahet nga ndërhyrja në Kosovë dhe të tërheq personelin e forcave të fshehta të saj.

"Serbia nuk ka ndonjë forcë sigurie në Kosovë, që nga 1999, në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB dhe marrëveshjen e paqes të Kumanovës", tha për SETimes zëdhënësi i qeverisë së Serbisë, Milivoje Mihajlovic.
Ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, thotë se prania e Serbisë në Kosovë është e njohur gjerësisht, pavarësisht nga mohimet serbe.
"Policia e Kosovës në disa raste ka ndaluar e verifikuar persona që janë identifikuar si anëtarë të MUP-it serb", tha ai.
Mihajlovic thotë se Beogradi e sheh deklaratën e GDN-së si një provokim dhe përpjekje për të dëmtuar Serbinë përballë dialogut në vazhdim me Kosovën.
Dusan Janjic, drejtor i Forumit për Marrëdhëniet Etnike, thotë se kërkesa - për tërheqjen nga Kosova të forcave serbe të sigurisë - nuk është aspak e re.
"Ato u përsëritën nga kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë vizitës së saj në Beograd verën e kaluar", thotë ai.
Grupi kërkoi gjithashtu që Serbia të anulojë zgjedhjet e ardhshme lokale, në veriun e Kosovës të mbizotëruar nga serbët.
Vladimir Radomiroviç, nga Qendra e Beogradit për Alternativat Strategjike, beson se kërkesat e GDN-së janë presion shtesë mbi Serbinë përpara vendimit për kandidaturën e saj në BE.
"Tadiç tani ka një zgjedhje të qartë përpara tij: të heq institucionet serbe nga Kosova dhe të marrë statusin e kandidatit për BE, apo të mbajë zgjedhje në Kosovë dhe të provokojë Perëndimin", thotë Radomirovic.