B e H lëshon viza për personat me dokumente të Kosovës

Këshilli i Ministrave të Bosnjë Hercegovinës dje ka autorizuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të këtij shteti që personave me dokumente të udhëtimit të Kosovës t’u lëshojë viza në një dokument të veçantë vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Në Këshillin e Ministrave të B e H e kanë arsyetuar këtë vendim duke thënë se në këtë mënyrë do të lehtësohej çështja e lirisë së lëvizjes së njerëzve, dhe harmonizimin e praktikës së përpunimit të aplikimeve për viza me vendet e tjera të BE-së të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, shkruan “Dnevni avaz” në numrin e djeshëm.
Këshilli i ministrave, duke u thirrur në konkluzionin nga mbledhja e 7 majit të vitit 2009, ka autorizuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të B e H, që të pranojë kërkesa për lëshuarjen e vizave, të vlerësojë arsyeshmërinë e tyre dhe, në rastet e jashtëzakonshme, kur këtë ta vlerësojnë të arsyeshme, të lëshojnë viza në një letër të veçantë për personat që kanë bërë kërkesë dhe për periudhën për të cilën është potencuar në deklaratën e bërë.