Kuçi thotë se nuk do të ketë zgjedhje serbe në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që të jenë pjesë e garancës për ndalimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Kuçi përsëriti se mbajtja e atyre zgjedhjeve ndikon negativisht në raportet ndëretnike në Kosovë.
Edhe pse kanë shprehur bindjen se nuk do të ketë zgjedhje serbe në veri të vendit, Kuçi ka thënë se edhe në rast se ndodhë e kundërta ato nuk kanë fuqi juridike.
Pas mbledhjes së Qeverisë, zëvendëskryeministri tha se gjitha rrjedhat politike tregojnë se Serbia nuk do të organizojë mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, raporton Rtk. Lidhur me këtë çështje Qeveria e Kosovës tashmë ka biseduar me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nga të cilat ka kërkuar të ndalin një veprim të tillë të Serbisë.
Ai ka folur edhe për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit. Një ditë pasi misioni EULEX bëri të ditur se do të shtojë kapacitetet e tij në veri, Kuçi, theksoi se ekziston një plan sesi të vendoset rendi dhe ligji në atë pjesë të vendit.
Në mbledhjen e sotme qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për Ndërtim, që buron nga Pakoja e Ahtisaarit.
Kryeministri Hashim Thaçi ftoi zyrtarët qeveritarë që sa më shpejt ta rregullojnë bazën juridike të legalizimit të ndërtimeve pa leje.
Qeveria po ashtu miratoi projektligjin për ndërmarrjet publike që po ashtu buron nga Pakoja e Ahtisarit.
Qeveria mori vendim edhe për themelimin e Akademisë Diplomatike që do të veprojë në kuadër të Ministrisë së Jashtme. Akademia do të merret me trajnime të stafit të Ministrisë dhe hulumtime nga politika e jashtme.