Thaçi uron gratë e Kosovës

Me rastin 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kryeministri Hashim Thaçi, ka uruar të gjitha gratë e Kosovës.

“Dita Ndërkombëtare e Gruas, 8 Marsi, është një festë e rëndësishme për gruan dhe nënën, si pjesë e shoqërisë, që shënohet në tërë botën demokratike.
Përgjatë gjithë historisë roli i nënës dhe i gruas ka qenë i domosdoshëm për krijimin e vlerave të përgjithshme shoqërore, kulturore, politike dhe jetësore”, thuhet në telegramin e kryeministrit.
Më tej në telegram thuhet se në të gjitha institucionet e shoqërisë sonë gruaja është duke zënë vendin e merituar dhe duke dhënë kontribut në ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me ndërmarrjen e hapave konkretë që ky përfaqësim të jetë edhe më meritorë.
Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dua që të gjitha nënave dhe grave të Kosovës ua uroj Festën e 8 Marsit, dhe dua të riafirmoj përkushtimet dhe vizionin e qeverisë për avancimin e barazisë gjinore në vendin tonë”, përfundon telegrami.