Veriu, strehë për kriminelët e kërkuar në Serbi

Veriu i Kosovës është bërë strehë për kriminelë të shtetit serb. Personat që kanë probleme me ligjin e drejtësinë të këtij vendi strehohen në veri të Mitrovicës, nga grupe kriminale dhe politike serbe, siç është rasti i Damjan Shobicit, i cili kërkohet në Serbi për vrasje.

Shobicin pjesëtarë të Policisë së Kosovës të Stacionit veri e kanë arrestuar të enjten në veri të Mitrovicës, për shkak të sulmit ndaj personit zyrtar dhe armëmbajtjes pa leje, shkruan “Koha Ditore”.
I arrestuari Damjan Shobic, 29-vjeçar nga Beogradi, është i kërkuar nga MUP-i serb, për shkak të dyshimit të pjesëmarrjes së tij në një vrasje që kishte ndodhur më herët në Beograd.
Ndaj Shobicit, i cili një periudhë të gjatë është duke u fshehur në veri të Mitrovicës, Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar më 15 nëntor 2011 fletarrestim, për shkak të dyshimit të pjesëmarrjes së tij në vrasjen e një qytetari me emrin Ivan Perovic, si dhe në vrasjen e një tifozi francez në vitin 2008, kanë njoftuar burime të gazetës.