Kandidatët: Ditë festive për Kaçanikun

Në orët e paradites, të gjithë kandidatët e partive politike për kryetar të Komunës së Kaçanikut në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po mbahen të dielën i ftuan qytetarët që të dalin masovikisht në këtë zgjedhje.

Ata e quajtën këtë një ditë festive për Kaçanikun, ditë kjo në të cilën sipas tyre qytetarëve të këtij vendi, u jepet mundësia për të dhënë verdiktin, për të zgjedhur të preferuarin e tyre, njofton KosovaPress.
Sahit Bela, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) uroi që këto zgjedhje të zhvillohen në mënyrë demokratike. Ai ftoi qytetarët e Kaçanikut që të dalin masovikisht në zgjedhje për ta dhënë verdiktin e tyre.
Bela po ashtu tha se pret nga këto zgjedhje mirëqenie më të mirë për qytetarët dhe një zhvillim më të mirë për Kaçanikun.
Edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besim Ilazi i ftoi qytetarët e Kaçanikut që të dalin të votojnë të qetë dhe në mënyrë demokratike.
“I ftoj qytetarët e Komunës së Kaçanikut të dalin të votojnë të qetë dhe të votojnë në mënyrë demokratike, për ata që mendojnë që më së mirë do t’i përfaqësojnë në mandatin që do të vjen. Edhe njëherë falënderoij qytetarët e Kaçanikut për një fushatë të bukur, duke uruar që kjo ditë e zgjedhjeve të jetë sa më e qetë”, tha ai.
Ndërsa për kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Tahir Çaka kjo është një ditë festive për Kaçanikun. Ai u bëri thirrje qytetarëve, që të dalin për të votuar, nëse janë të interesuar ta ndryshojnë gjendjen në të cilën kanë qenë tash e disa vite. Me gjithë thirrjen për dalje në votim, ai tha se ky është një maltretim, i cili po u bëhet qytetarit të Kaçanikut, që në këtë gjysmë mandati të dalin të votojnë.
Edhe kandidati i Vetëvendosjes, Shukri Luta ftoi qytetarët që të votojnë për ndryshime, duke i siguruar se do ta mbrojnë vullnetin e lirë të qytetarëve të kësaj komune.
“Ftoj gjithë qytetarët e komunës së Kaçanikut, që të dalin sot masovikisht në zgjedhje dhe me votën e tyre të shprehin vullnetin e tyre për ndryshimin e madh dhe shpresoj dhe besoj që procesi zgjedhor do të kaloi mirë. Ne në të gjitha qendrat e votimit jemi pjesë aktive me aktivistët, komisionerët dhe vëzhguesit tanë, dhe besoj që do ta mbrojmë vullnetin e lirë të qytetarëve në Komunën e Kaçanikut”, tha ai.
Edhe kandidati i AKR-së, Kjani Berisha, i ftoi qytetarët të votojnë në këtë ditë festive për Kaçanikun.