AAK dhe VV: PDK po bën presion mbi votuesit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreh brengosje për manipulim të zgjedhjeve gjatë ditës së sotme, në vendvotime të ndryshme në Komunën e Kaçanikut, kurse Lëvizja Vetëvendosje pretendon se PDK po bën presion mbi votuesit.


Shtabi Zgjedhor i AAK-së ka vërejtur se janë nxjerrë jashtë mbi 100 fletëvotime nga vendvotimi në shkollën fillore në fshatin Bicaj dhe dyshohet se ato do të keqpërdoren, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga kjo parti.

SHZ i AAK-së, gjithashtu, ka vërejtur se në Kaçanikun e vjetër janë parë lëvizje të vazhdueshme të militantëve të PDK-së, me tendenca manipulimi të procesit zgjedhor.

Gjithashtu, gjatë ditës së sotme është vërejtur prezencë e madhe e zyrtarëve qeveritarë dhe prezenca e vazhdueshme e vetë kryeministrit të Kosovësnë Kaçanik.

Shtabi Zgjedhor i AAK-së tërheqë vërejtjen për rrezikun evident të manipulimit të zgjedhjeve të sotme në Komunën e Kaçanikut, dhe fton të gjithë mekanizmat kompetentë, KQZ-në, vëzhguesit dhe monitoruesit e këtyre zgjedhjeve, për të mbikëqyrur me më shumë vëmendje procesin dhe për të mos lënë hapësirë për manipulimin dhe keqpërdorimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e sotme të jashtëzakonshme në Kaçanik.
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar duke akuzuar PDK-në se po e shkel Ligjin për zgjedhjet, Kodin e mirësjelljes, Rregullave për fushatën e zgjedhjeve duke u dërguar qytetarëve të Kaçanikut mesazhe përmes telefonave celularë që të dalin e ta votojnëkandidatin e këtij subjekti politik në garë për kryetar të Komunës.