D4D-INPO: 70 vjeçarja voton dy herë ?!

Demokracia për Zhvillim dhe INPO kanë njoftuar se deri në mesditë janë shënuar disa parregullsi gjatë procesit të votimit në Kaçanik, si votime të dyfishta, probleme në listën e votuesve, votime familjare, problemet me vëzhguesit e subjekteve politike.

D4D dhe INPO njoftuan se në qendrën e votimit 0719D (Kovaçec) vendvotimi 01, një të moshuare (mbi 70 vjeçare) gjatë procesit të kontrollimit të gishtit bateria ka treguar që votuesja e ka gishtin e spërkatur.
“Për këtë arsye Këshilli i vendvotimit ka thirr në ndihmë KKZ-në për të vendosur nëse duhet lejuar ajo që të votojë apo jo. Përfaqësuesit e KKZ-së duke u arsyetuar me moshën e votueses, kanë vendosur që atë ta lejojnë të votojnë. D4D dhe INPO konsiderojnë se kjo është shkelje nga ana e KKZ-së sepse nuk mund të përjashtohet mundësia që votuesja ka qenë e manipuluar dhe është dërguar më herët që diku tjetër të votojë me kusht”, thuhet në kumtesë.
Po ashtu raportohet për problemet me listën e votuesve. “Në qendrat e votimit 0707D (fshati Doganaj), 0702D (fshati Glloboçicë), 0703D (fshatin Kaçanik i Vjetër) dhe 0706D (Dubravë), një numër i konsideruar i qytetarëve nuk janë duke e gjetur emrin e tyre në listat e votuesve”.
Edhe votimet familjare dhe në emër të dikujt tjetër, si dhe votuesit me asistencë janë raportuar si parregullsi në këtë proces zgjedhor.
Mësohet se në qendrën e votimit 0707D (fshati Doganaj) vendvotimi 03R një votues ka shkuar në vendvotim me letërnjoftime të anëtarëve të familjes me qëllim që të votojë për të gjithë, por kryesuesi i vendvotimit nuk e ka lejuar dhe personi në fjalë ka votuar vetëm për veten e tij.
Në qendrën e votimit 0706D (Dubravë) 02R dhe vendvotimi 04D, si dhe në qendrën e votimit 0701D (Kaçanik) vendvotimi 01R ka pasur votim familjar, ndërkaq në qendrën e votimit 0701D (Kaçanik), vendvotimi 01R, një person ka asistuar me shumë se një person, gjë që është në kundërshtim të ligjit.
D4D dhe INPO raporton edhe për problemet me vëzhguesit e subjekteve politike.
“Në qendrën e votimit 0713D (fshati Begracë) vendvotimi 02R nga subjekti politik AAK ka pasur më shumë vëzhgues sesa është e lejuar me ligj dhe është dashur që menaxheri i qendrës së votimit të ndërhyjë që aty të mbesin vetëm dy vëzhgues nga ai subjekt politik, aq sa edhe e lejon ligji”, thuhet në kumtesë.