Egjipti bëhet gati për t’na njohur

Egjipti pritet të jetë shteti i radhës që do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Artan Behrami, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se deputetët e Parlamentit të Egjiptit kanë kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e këtij shteti (Egjiptit) ta procedojë njohjen e shtetit të Kosovës.

Sipas Behramit, ministri i Jashtëm i Egjiptit, Mohamed Kamel Amr ka marrë një raport mbi rezultatet e takimit të Autoritetit të Përgjithshëm të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Ultë të Parlamentit, të udhëhequr nga Essam Al Aryan, njofton gazeta “Epoka e Re”.
“Disa anëtarë të këtij Komisioni kanë ngritur domosdoshmërinë e njohjes së Republikës së Kosovës nga Egjipti dhe i kanë shprehur Ministrisë së Jashtme interesimin për dosjen e Kosovës”, ka thënë Behrami.
Ai po ashtu ka thënë se njohja e këtij shteti pritet të vijë falë një lobimi të fuqishëm të zhvilluar në Egjipt nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përfshirë edhe vizitën e ministrit Enver Hoxhaj në Kajro.