Vendimi i Kryeprokurores së EULEX-it nuk i ka kënaqur pritjet e mbrojtjes së deputetit Fatmir Limajt, i akuzuar në rastin “Kleçka”. Kërkesën e tyre me argumente shtesë e kanë adresuar tashmë te shefi i EULEX-it, Xavier Bout De Marnhac.
Siç raporton RTK, letra adresuar drejtuesve të lartë të EULEX-it, që mban firmën e avokatit Karim Khan, sqaron pozicionin e mbrojtjes se prokurori i EULEX-it nuk ka imunitet para Gjykatës së EULEX-it.
Referuar nenit 7 të ligjit për imunitet të misioneve ndërkombëtare, sipas mbrojtjes është e qartë se një imunitet i tillë i atribuohet EULEX-it si entitet më shumë se sa individ dhe EULEX-i mund t’ia heq këtë imunitet nëse aplikohet.
Derisa e kanë cilësuar kërkesën modeste, mbrojtja ka sqaruar për shefin e EULEX-it se nuk është e domosdoshme që Salustro të dëshmojë në gjykatë.
“Çdo përgjigje me shkrim në këtë fazë do të ishte e mjaftueshme për mbrojtjen”, thuhet në letrën e avokatëve.
Pranimin e një kërkese të tillë e kanë konfirmuar edhe zyra për informim e EULEX-it.
Në një përgjigje të shkurtër përmes postës elektronike, EULEX-i thotë se ka pranuar një letër nga avokatët e Limajt, por ende nuk i ka kthyer përgjigje.
Përgjigja eventuale e shefit të EULEX-it në kërkesën e mbrojtjes ende nuk dihet nëse mund të interferojë procesin gjyqësor të paraparë të vazhdojë me 28 shkurt, në të cilën seancë do të trajtohet besueshmëria e dëshmive të dëshmitarit X.