"Në vendin tim, askush nuk thotë Republika Federale e Austrisë në takimet ndërkombëtare, shkruhet vetëm Austria", thotë ish-zëvendës kryengociatori i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadori Rohan mendon se rasti i Kosovës nuk mund të krahasohet me atë të Maqedonisë, ndërsa tërë debatin për fusnotën e konsideron të ekzagjeruar.
“Rezoluta 1244 është ajo që është zbatuar së fundmi dhe sipas pikëpamjes sime është dokument historik. Ajo parasheh dialog politik për çështjen e statusit, ndërsa ky dialog është zhvilluar dhe ka rezultuar me deklaratën e pavarësisë. Prandaj, deklarata e pavarësisë në njëfarë mënyre është konsekuencë e kësaj rezolute. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj insistimin e Serbisë që ta përmend këtë rezolutë, e cila i takon së kaluarës”, thotë Rohan
Sipas tij, kryesorja është që Kosova duhet të marrë pjesë në bashkëpunimin rajonal. Mënyra më e lehtë, thotë Rohan, do të ishte që ta shohim Kosovën si pjesëmarrëse, ndërsa sa për fusnotën të shkruhej ‘Nuk njihet nga Serbia’.
”Diçka e tillë do të ishte rrugëdalja më e lehtë. E tërë kjo është ekzagjeruar”, thotë Rohan, duke theksuar se fusnota nuk sjell pasoja, pasi askush nuk i lexon.
“Përmendja e ndonjë rezolutë të vjetër, që më nuk është në fuqi, është e dorës së dytë, në veçanti kur është e balancuar me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, thotë Rohan.