Hoxhic: Nuk i rrezikojmë institucionet e Serbisë në veri!

Shefja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, Adrijana Hoxhic, ka vlerësuar se është e panevojshme vendosja e trupave të KFOR “me armë të gjata” përreth kësaj zyre, e cila, sipas saj, nuk kërcënon asnjë institucion të Serbisë në veri.

"Kjo zyrë nuk ka të bëjë asgjë me vendosjen e ushtarëve të KFOR-it dhe unë mendoj se ‘tytat e gjata’ vërtetë janë të panevojshme. Qytetarët e veriut të Mitrovicës janë shumë të vetëdijshëm për gjithçka dhe kurrë nuk kanë qenë iniciatorë të dhunës”, citohet të ketë thënë Hoxhic për gazetën "Dnevnik" të Novi Sadit.
Sipas saj, hapja e zyrës administrative në veri të Mitrovicës ‘nuk paraqet kërcënim për asnjë institucion të Serbisë në veri”.
"Nuk është përgjegjësi e jona që të merremi me këto çështje. Tek e fundit, kur flasim për kujdesin shëndetësor ose arsimin, ne jemi shumë të interesuar për të përmirësuar funksionimin e tyre, e jo t’i shuajmë", tha Hoxhic.