Nëntëdhjetë nënoficerë të FSK-së kanë përfunduar trajnimin në Akademinë prestigjioze të ushtrisë amerikane në Gjermani, ku kanë treguar performancë të madhe. Ky trajnim është shumë i rëndësishëm për FSK-ën, sepse vlerësimet e këtij trajnimi janë mbi 30 për qind i tejkalimit të standardeve që ka parashikuar NATO për FSK-në, ka vlerësuar Komandanti i FSK-së Gjeneral-lejtnant, Kadri Kastrati.
Në Akademinë e Nënoficerëve në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimeve në Grafenworh, të Gjermanisë është mbajtur trajnimi i 90 nënoficerëve të FSK-së, kurse Komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati tha se struktura e nënoficerëve është objektivi kryesor dhe duhet të ndërtohet me të gjitha standardet.
Ai vlerësoi se FSK-ja i nevojitet Kosovës, por edhe rajonit.
“Kjo tregon që FSK-ja është shumë aktive tregon që FSK-ja është duke ecur drejt ngritjes së profesionalizmit dhe drejt shndërrimit në një forcë që i nevojitet jo vetëm Republikës së Kosovës, por shumë shpejt ne synojmë që të japim kontribut edhe jashtë Kosovës në misione humanitare nëpër botë nëse kërkohet nga ne”, tha Kastrati.
Ndërkaq sa i përket buxhetit lidhur me blerjen e automjeteve të rënda për Forcën e Sigurisë së Kosovës, komandanti Kastrati tha se FSK-ja është duke bërë rishikimin strategjik të FSK-së dhe sigurisë në Kosovë dhe pritet që gjatë këtij vitit të nxirren nevojat e FSK-së për pajisjet, raporton RTK.
Si çdo vit edhe këtë vit për të dytën herë më radhë pjesëtarët e FSK-së do të marrin pjesë në marrshin e NATO-s në Holandë.