Deputetë të Kuvendit të Kosovës, por edhe raporte ndërkombëtare, e shohin të brishtë sigurinë në Kosovë. Përpos cenimit të objekteve me rëndësi shtetërore, të tjerë faktorë që kanë përmendur se ndikojnë në të tillë situatë janë edhe gjendja në veriun e banuar me serbë, poroziteti i kufijve dhe shndërrimi i Kosovës në një vend transit të kontrabandës dhe trafikimit.
Gazeta “Koha Ditore” ka raportuar të shtunën se si një person i armatosur dhe një tjetër që pa vërejtur ka kaluar rrethojat e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë mundur të mërkurën të hynin në aeroplanin e “Turkish Airlines”, që për destinacion kishte Stambollin. I treti, që mëtonte të depërtonte me një thikë, nuk i kishte shpëtuar sigurimit. Sikur dy të parët të mos ishin persona që kanë pasur për qëllim të testonin sigurinë në Aeroport, ata do të mund të kryenin çfarëdo misioni brenda aeroplanit të mbushur me udhëtarë. Teknikat e tyre për të futur armatimin në aeroplan kishin funksionuar.
Fatmir Xhelili, i cili ka qenë zëvendësministër i Punëve të Brendshme në mandatin e shkuar, ka thënë të jetë befasuar kur ka lexuar një lajm të tillë. Kjo për shkak se e vlerësonte shkallën e sigurisë në Aeroport.