AAK: MASHT manipulon me testin e maturës

Pas pritjeve të gjata, gjatë tërë muajit prill, më në fund MASHT reagoi, në momentin e fundit, duke shpërndarë nëpër shkolla një fletëpalosje me sqarime bazë, për mënyrën e organizimit të provimit përfundimtar dhe të maturës për këtë vit shkollor, thuhet në një kumtesë të Departamentit të Arsimit në AAK.

“Nëse analizohen informatat e dhëna, edhe lexuesit më të painformuar i bie në sy përpjekja e ministrit Buja dhe Komisionit Shtetëror për Provimin e Maturës, që të paraqesë si risi edhe çështjet që janë paraparë me ligj, por nuk janë zbatuar në të kaluarën”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga kryesuesi i këtij Departamenti, Jonuz Salihaj. Në fjalën e ministrit Buja, thuhet: ‘Gjeneratës suaj do t’u jepet mundësi më e madhe për të treguar aftësitë dhe shkathtësitë tuaja, të përvetësuara gjatë shkollimit, ngase për herë të parë Testit të Maturës do t’i nënshtroheni dy ditë radhazi”.
Ndarja e lëndëve, në të përgjithshme dhe profesionale, është paraparë me ligj dhe nuk mund të konsiderohet si risi (neni 18 i Ligjit për Provimin Përfundimtar dhe të Maturës). Kjo dispozitë ligjore, sipas AAK-së, është shkelur vazhdimisht në të kaluarën, kurse në këtë vit shkollor tentohet të paraqitet si risi.
“Madje, MASHT nuk është prononcuar fare për obligimin ligjor, që sivjet testi i maturës është i vetmi kusht për pranimin e studentëve në Institucionet e Arsimit të Lartë (neni 20, pika 3 e Ligjit për Provimin Përfundimtar dhe të Maturës)”.
AAK mendon se MASHT në mënyrë urgjente duhet t’i ndërmarrë këto veprime: Duhet të standardizohet numri i lëndëve mësimore për pesë drejtimet e gjimnazeve dhe 13 lëmenjve të shkollave profesionale; duhet të përcaktohet proporcioni 60 për qind me 40 për qind në dobi të lëndëve të përgjithshme dhe duhet definuar saktë lëndët profesionale për të gjitha drejtimet e gjimnazit dhe lëmenjtë e shkollave profesionale; organizimi i procesit të testimit nuk duhet të cenohet nga keqadministrimi i testit, gjë që ka ndodhur çdo vit në të kaluarën; ky proces duhet të organizohet me kuadro profesionale e jo me militantë partiakë të komunave, të cilët me çdo kusht, dëshirojnë rezultat pozitiv; administratorët për punën e tyre duhet të paguhen; në rast se kemi cenim të procesit, duhet të pasojë llogaridhënia, e cila është paraparë me ligj; numri i testeve për shkollat profesionale duhet të jetë më i madh.
“Menaxhimi i provimit të maturës, nga viti 2008 është shoqëruar me të meta të mëdha dhe askush për këtë nuk ka bartur përgjegjësi. Është koha e fundit që kjo përgjegjësi të adresohet dhe kompetentët nga Komisioni për Maturën Shtetërore të përgjigjen për lëshimet e njëpasnjëshme që i kanë bërë deri më tani. Kërkojmë nga ministri i Arsimit, z. Buja, që të eliminojë konfliktin e interesit brenda këtij komisioni dhe të hapë rrugë për rikompozimin e tij. Në të kundërtën, MASHT i bartë të gjitha përgjegjësitë për shkelje të ligjit në fuqi dhe cenim të rëndë të të drejtave të fëmijëve”, thuhet ndër të tjera në kumtesë