ISKP: Të mos politizohet Kushtetuesja

Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare (ISKP) ka prezantuar studimin analitik me titull “Procesi i Zgjedhjes (emërimit) të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Kosovës”. Sipas Institutit, komisioni përkatës i Kuvendit të Kosovës që bënë përzgjedhjen dhe rekomandimin e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, është në kundërshtim me praktikat e vendeve demokratike dhe këtë proces e lë nën hijen e ndikimeve politike.

“Përbërja e Komisionit përkatës dominohet kryesisht nga kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në komunikatë. “Nga gjithsejtë 12 anëtarë të komisionit, shtatë prej tyre janë përfaqësues të partive politike, njëherësh kryetarë të grupeve parlamentare, të cilët dominojnë procesin e votimit në këtë komision. Rrjedhimisht, kjo rezulton me një proces i cili detyrimisht imponon marrëveshje ose koalicione politike për përzgjedhjen e kandidatëve të caktuar për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, sidomos kur kihet parasysh fakti se për rekomandimin e kandidatëve tek Presidenti duhen votat e dy të tretat e të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë”.
Problem tjetër rreth politizimit të këtij procesi është fakti se kryetarët e grupeve parlamentare kanë të drejtë të votimit të dyfishtë. Kjo ngase të njëjtit votojnë në komisionin i cili bënë rekomandimin e kandidatëve për gjyqtarë në Kuvend dhe po ashtu votojnë gjatë seancës plenare me rastin e përzgjedhjes së kandidatëve për dekretim tek Presidenti i Republikës së Kosovës.

“Procesi i zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues në Gjykatën Kushtetuese në mënyrën sesi ka rrjedhur, ka qenë jo transparent, për shkak se Komisioni që bënë rekomandimin e kandidatëve për gjyqtarë nuk ka ofruar qasje për të gjitha grupet tjera të interesit, siç janë shoqëria civile, mediat dhe opinioni i gjerë”.
Sipas komunikatës së ISKP, neni 6, paragrafi.2.11 në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese krijon mundësi keqintepretimi në Kuvend me rastin e procedimit për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, sepse mbi bazën e këtij neni Kuvendit i dërgohen për votim nga Komisioni dy lloje kandidaturash: një me listë të ngushtë dhe një me listë që i plotësojnë kushtet.
ISKP rekomandon këto zgjidhje: Të ndryshohet ligji aktual për Gjykatën Kushtetuese, dispozitat për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe themelimin e komisionit të posaçëm për shqyrtimin e aplikacioneve të kandidatëve për gjyqtarët kushtetues; Komisioni përkatës i Kuvendit që rekomandon kandidatët për gjyqtarë kushtetues, duhet të ndryshojë përbërjen e tij, sepse përbërja aktuale nuk garanton profesionalizëm dhe depolitizim të procesit të zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues.
“Përbërja e këtij komisioni duhet të jetë e atillë, që të reflektojë paanshmëri politike dhe profesionalizëm. Komisioni duhet të ketë më shumë përfaqësues të gjyqësorit dhe të institucioneve akademike, njohës të çështjeve juridike në përgjithësi”, konsiderojnë përfaqësuesit e Institutit.
ISKP rekomandon këtë përbërje të komisionit: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës; përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës; përfaqësuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës; dy përfaqësues të Fakultetit Juridik (lëmi i së drejtës kushtetuese/publike) të Universitetit të Prishtinës; përfaqësuesi i Gjykatës Kushtetuese; përfaqësuesi nga zyra e Presidentit/es; përfaqësuesi i Gjykatës Supreme; përfaqësuesi i Gjykatës së Apelit; përfaqësuesi i Gjykatës Themelore; përfaqësuesi i Odës së Avokatëve të Kosovës; përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës nga seksioni i drejtësisë; përfaqësuesi i Lidhjes së Juristëve të Kosovës; përfaqësuesi i shoqërisë civile.