Udhëheqësit e shtetit të Kosovës po e shfrytëzojnë periudhën para pushimeve verore që të vizitojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ditën kur presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, është kthyer nga qëndrimi në anën tjetër të Atlantikut, për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka udhëtuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Jahjaga gjatë vizitës së saj në SHBA ka mbajtur një ligjëratë në njërin nga universitetet atje. Ligjëratë do të mbajë edhe kryeparlamentari Krasniqi, por asnjëri prej tyre nuk është takuar me përfaqësues të nivelit të njëjtë në SHBA.
Në një njoftim të Kryesisë së Kuvendit thuhet se kryeparlamentari Jakup Krasniqi do të qëndrojë në SHBA për pesë ditë. Sipas njoftimit, kreu i Kuvendit është ftuar në këtë vizitë me ftesë të Komisionit të Kongresit të SHBA-së për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë, shkruan “Koha Ditore”.
Përveç takimit me ftuesit, në agjendën që është përshkruar nga Kuvendi thuhet se kryeparlamentari do të mbajë edhe një ligjëratë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.