Raundi i paraparë për të martën në dialogun Kosovë – Serbi, do të mbahet të mërkurën, meqë delegacioni i Kosovës ende nuk ka arritur në Bruksel. Arsyeja e kësaj shtyrje thuhet të jetë anulimi i fluturimi nga Vjena për në Bruksel, me të cilin është dashur të udhëtojnë anëtarët e delegacionit të Kosovës, të kryesuaar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.
Paradite ishte thënë se ka pasur “shtyrjes teknike” të këtij raundi, pasi delegacioni i Kosovës ishte nisur me vonesë nga aeroporti i Prishtinës. Ishte paralajmëruar që takimi të mbahet pasdite. Mirëpo tani, sipas burimeve në Bruksel, thuhet se për shkak të anulimit të fluturimit Vjenë-Bruksel, takimi është shtyrë për të mërkurën.
Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në proces, Robert Cooper, ka bërë publike çështjet që do të diskutohen. Sipas tij, bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e mëhershme.
Qeveria e Kosovës është pajtuar që Kosova të përfaqësohet me një fusnotë, ku figuron Rezoluta 1244, ndërsa krahas saj edhe Deklarata e Pavarësisë dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë – çfarë ka nxitur edhe reagimin kundërshtues të opozitës kosovare.