Shefi i diplomacisë franceze, Alain Juppe, thotë se BE ia ka bërë me dije Beogradit gjërat që priten nga Serbia.
“Përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të fokusohet në menaxhimin e kufijve dhe në pjesëmarrjen e Kosovës në forumet e bashkëpunimit rajonal”, ka thënë Juppe në një intervistë për gazetën “Veçernje novosti”.
Ai ka shtuar se deri në takimin e Këshillit të Ministrave të BE-së, me rëndësi është të dërgohet një sinjal i qartë në lidhje me menaxhimin e integruar të vendkalimeve.
“Rëndësi ka që misioni i EULEX-it ta ushtroj lirisht mandatin në veri të Kosovës”, shton ai.
Juppe ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës paraqet domosdoshmëri politike, e cila do t’i kontribuonte stabilitetit të rajonit dhe perspektivës evropiane të dyja vendeve.
“Secila palë duhet patjetër të tregojë përkushtimin evropian dhe vendosmërinë që të realizohen përpjekjet e domosdoshme, sepse nuk ekziston tjetër alternativë”.