Hyseni: Brukseli nuk na mbron nga vetvetja

Propozimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që Kosova në nismat rajonale të përfaqësohet me fusnotën ku shënohet edhe Rezolutë 12 44, sipas deputetit të LDK-së dhe ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skender Hyseni, ka befasuar të gjithë, madje edhe vet presidentin e Serbisë, Boris Tadic.

Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, Hyseni thotë se kthimi në Rezolutën 12 44 paraqet kthim në çështjen e pazgjidhur të statusit të Kosovës, çka sipas tij, mund të ketë pasoja për Kosovën dhe gjithë rajonin.
“Gjëja e fundit që do të duhej pritur pas vendimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar - i cili mbikëqyrte pavarësinë e Kosovës, për ta përmbyllur këtë mbikëqyrje diku nga fundi i këtij viti - dhe gjëja e fundit që duhej pritur ishte që vet institucionet e Republikës së Kosovës, me vullnetin e tyre të rikthehen dhe përqafojnë Rezolutën 12 44 si model identifikimi në takimet ndërkombëtare”, thotë Hyseni, sipas të cilit ky është fillim i degradimit gradual të shtetësisë së Kosovës.
“Do të ndihem shumë keq kur të takohem me shumë miq të Kosovës në Parlamentin Evropian, në botë, në Amerikë, të cilët janë angazhuar fuqishëm që referenca e 12 44-shit të mos lejohet. Kanë bërë luftë me deputetët sllovakë, spanjollë, grekë, rreth kësaj, dhe tash jemi ne vet që u themi atyre ju e keni pasur gabim. Me këtë ne e kemi legjitimuar politikën e pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën dhe e kemi refuzuar politikën e 22 vendeve të Bashkimit Evropian që e njohin Kosovën”.
Hyseni nuk ka asgjë kundër dialogut me Beogradin, por me “pazotësinë e delegacionit të Kosovës” që të jetë e barabartë në dialog. Dialogu do të duhej të synonte ta zvogëlonte atë hendek shumë të madh midis dyja vendeve, mendon ai, e jo ta thellojë problemin duke iu kthyer Rezolutës 12 44.
“Nëse ju me vullnetin tuaj bëni lëshime pse duhet të bëhet avokat i Kosovës dikush në Bruksel. Ka shumë avokat të Kosovës në Bruksel që e kanë mbrojtur Kosovën nga të këqijat që këtij vendi ia ka shkaktuar Republika e Serbisë në të kaluarën. Por, unë ju siguroj që asnjëherë Kosova nuk do të gjejë avokat në Bruksel që do ta mbrojë atë nga vetvetja”.