E plotësuar - Burime të Bashkimit Evropian në Bruksel thonë se raundi i sotëm i dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë, që ishte dashur të fillojë paradite, do të mbahet pasdite vonë.
Kjo ka ndodhur pas “shtyrjes teknike”, pasi delegacioni i Kosovës ishte nisur me vonesë nga aeroporti i Prishtinës.
Sipas këtyre burimeve, mund të ndodhë që ky raund i dialogut, që është i pari për këtë vit, të vazhdojë edhe nesër, raporton “Radio Evropa e Lirë”.
Ndërmjetësi evropian në proces, Robert Cooper, ka bërë publike çështjet që do të diskutohen. Sipas tij, bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e mëhershme. /Telegrafi/
E plotësuar - Fillimi i raundit të ri të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është caktuar të mbahet gjatë orëve të pasdites, pasi zyra e ndërmjetësit Cooper ka marrë konfirmimin se delegacioni i Prishtinës tashmë është nisur drejt Brukselit.
Siç është bërë e ditur më parë nga Komisioni Evropian, delegacioni i Prishtinës, i kryesuar nga Edita Tahiri, ka qenë dashur që mbrëmë të ishte në Bruksel, ndërkohë që takimi do të duhej të fillonte sot në orën 10:00, raporton “Kosovapress”.
Arsyet e kësaj vonese nuk janë bërë të ditura, as nga Brukseli dhe as nga ekipi i zonjës Tahiri, me të cilën ka qenë e pamundur të komunikohet për shkak të mbylljes së telefonave.
Gjatë raundit të sotëm është paraparë të diskutohet për përfaqësimin rajonal të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme. /Telegrafi/
E plotësuar - Ndonëse i paraparë të niste në orën 10, raundi i sotëm i dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit nuk ka filluar ende.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Cathernie Ashton, ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se shtyrja ka pasuar mungesën e delegacionit të Prishtinës në Bruksel.
Tash për tash është ende e paqartë nëse bëhet fjalë për vonesë teknike apo shtyrje të të gjithë procesit.
Ndërmjetësi evropian në proces, Robert Cooper, ka bërë publike çështjet që do të diskutohen. Sipas tij, bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e mëhershme.
E para ka qenë edhe shkaku i ndërprerjes së bisedimeve për disa muaj, pasi palët nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje për përfaqësimin e Kosovës në forumet dhe nismat rajonale. Përderisa Prishtina ka kërkuar përfaqësimin e saj si shtet, Beogradi ka insistuar në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Së fundmi, Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi janë pajtuar që Kosova të përfaqësohet me një fusnotë, ku figuron Rezoluta 1244, ndërsa krahas saj edhe Deklarata e Pavarësisë dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë – çfarë ka nxitur edhe reagimin kundërshtues të opozitës kosovare.
Shteti serb ka përsëritur se 1244-shi i OKB-së dhe mendimi i GJND-së janë të pranueshëm, por pa iu referuar Deklaratës së Pavarësisë.
Ndërmjetësi evropian, Robert Cooper, ka theksuar rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal.