Letra e Prishtinës “frikëson” Beogradin

Nga ambasadat e shteteve anëtare të BE-së, në Beograd, thonë se nuk do ta përfillin kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, që Serbia të mos e fitoj statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Zëvendësambasadori i Sllovenisë, Milan Postuar, thotë se për letrën - të cilën Qeveria e Kosovës ia ka dërguar anëtarëve të BE-së, ku Serbia fajësohet për mossukses të dialogut, për çka kërkohet që të mos i miratohet statusi i kandidatit për Union – ka dëgjuar nga mediat, prandaj nuk ka njohuri për detajet.
“Sllovenia, natyrisht, ndjek mënyrën se si zhvillohet dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës. Për vendimin tonë për kandidaturën e Serbisë, meritor do të jetë fakti nëse në ditët e ardhshme bëhen përparime në dialog. Ne shpresojmë që të ecë përpara procesi”, ka thënë diplomati slloven, për ditoren serbe “Press”.
As në ambasadën çeke nuk kanë dëgjuar për letrën e Qeverisë së Kosovës, por thonë se kjo nuk do të ndikojë në pozicionin e tyre rreth kandidaturës së Serbisë.
“Asnjë letër nuk ka mbërritur. Qëndrimi i Republikës Çeke është i njëjtë si në dhjetor. Ne e mbështesim kandidaturën e Serbisë, sepse besojmë se ajo ka përmbushur të gjitha kushtet për këtë”, thonë nga ambasada e Çekisë.
Në misionin diplomatik të Britanisë së Madhe theksojnë se vetëm nga Beogradi varet se si do të deklarohet BE-ja për këtë kandidaturë, përderisa “letrën e Thaçit nuk kanë dashur ta komentojnë”.
“Është vetëm një qytet në rajon që mund të ndikojë në vendimin e vendeve anëtare rreth kërkesës së kandidaturës së Serbisë, e ky është Beogradi. Në konkluzionet e Këshillit Evropian në dhjetor, shtetet anëtare qartë i kanë cekur kriteret të cilat Serbia duhet t'i plotësojë në mënyrë që vendimi i BE-së për kandidaturën të jetë pozitiv. Deri në takimin e ardhshëm të Këshillit të Evropës ka mbetur pak kohë, por ne shpresojmë se Beogradi zyrtar do të vazhdojë të tregojë një qasje konstruktive dhe fleksibile ndaj procesit të dialogut me Prishtinën. Një qasje e tillë e hap rrugën për progres të mëtejshëm dhe mund t’ia japë BE-së një bazë për t’u deklaruar pozitivisht”, thonë nga ambasada britanike.
Shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi, Vincent Degert, theksoi se në ditët e ardhshme duhet të shënohet një progres i qartë e me rezultate në dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, që të përmbushen kushtet dhe kriteret të cilat i ka përcaktuar Këshilli Evropian.
“Mendoj se në procesin e dialogut nuk ka shantazhe. Kur ne duam dialog, kjo do të thotë se ne duam që pjesëmarrësit të sillen në mënyrë konstruktive për të shënuar progres. Ne nuk mund të parandalojmë ndonjë palë që t’i dërgoj informata përfaqësuesit të BE-së, Robert Cooper. Por, në fund ai dhe Catherine Ashton do të japin vlerësime se sa ka pas progres dhe konstruktivitet në dialog. Kjo do t’ju përcillet ministrave të BE-së”, ka thënë Degert për “Tanjug”, duke komentuar letrën që Prishtina ua ka dërguar shteteve anëtare të BE-së
Shefi i ekipit të Beogradit në dialogun me Prishtinën, Borislav Stefanovic, thotë se letra e Prishtinës e ka huq qëllimin.
“Për integrimin evropian vendos Brukseli dhe shtetet anëtare, e jo Prishtina. Ata as nuk do të pranojnë që i ashtuquajturi pushtet i Kosovës të ketë veto në procesin e zgjerimit. Ky është një tentim i dëmshëm i Prishtinës, dhe jam i bindur se ata janë të vetëdijshëm për këtë. Nuk janë ata të cilët mund ta mbajnë peng BE-në”, ka thënë Stefanovic.
Ai thotë se dëshira dhe përkushtimi themelor i takimit të sotshëm me delegacionin e Prishtinës në Bruksel, është arritja e marrëveshjes për “përfaqësimin asimetrik” të Kosovës.
“Mendoj se ka shanse për një marrëveshje dhe do të bëjmë gjithçka për të ardhur deri te kjo. Prishtina duhet të jetë në organizatat rajonale dhe duhet të dëgjohet zëri i saj, por përfaqësimi nuk mund të jetë në formën e shtetit të pavarur”, shton ai, duke vlerësuar se Rezoluta 1244 dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mund të jetë bazë e mirë për marrëveshje, “pa iu referuar deklaratës së pavarësisë”.
“Nuk ka shenja të afrimit të Prishtinës në kompromis. Në bashkësinë ndërkombëtare ka mirëkuptim të gjerë dhe një qëndrim më pozitiv të pozicionit të Beogradit".