Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësoi të enjten se nuk mund të ketë shoqëri të lirë, as shtet ligjor në Kosovë, përderisa nuk parandalohet dhe nuk dënohet krimi.
LDK, përmes një kumtese për media ka thënë se deri më sot nuk janë zbuluar dhe ndëshkuar ekzekutuesit e krimeve të rënda, të vrasjeve e të tentim-vrasjeve të shumë atdhetarëve e drejtuesve të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe veprimtarëve dhe zyrtarëve tjerë në Kosovë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës tërheq vëmendjen që drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar, kurse krimi i pandëshkuar është krim që mund të përsëritet”, thuhet në deklaratën e LDK-së.
Kjo parti thekson se në ditët e fundit kanë dalë deklarata të hapura për dy tentim atentate ndaj themeluesit e kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugovës, në vitin 2004 dhe në vitin 2005, pikërisht në kohën kur Rugova ishte president i Republikës së Kosovës.
“Ne besojmë fort se do t’i shërbente drejtësisë në Kosovë dhe besimit në shtetin e Kosovës që Prokuroria e Kosovës dhe Prokuroria e EULEX-it të trajtojnë të gjitha këto raste të vrasjeve dhe tentimvrasjeve dhe të sjellin para drejtësisë, për të marrë dënimin e merituar, ekzekutorët e krimeve të rënda dhe frymëzuesit e tyre. Besojmë që thirrjes sonë do t’i bashkohen qytetarët, që e duan Kosovën të lirë e shtet të së drejtës, po ashtu edhe shoqëria civile e partitë politike. Presim që t’i bashkohen kësaj thirrjeje në radhë të parë përfaqësuesit më të lartë të Republikës së Kosovës, Presidentja, Kryetari i Kuvendit e Kryeministri”, thuhet në deklaratën e LDK-së.