Sulmohen dy gazetarë në veri të Mitrovicës

Shoqata e gazetarëve të Mitrovicës ka dënuar ashpër sulmin e ekstremistëve serbë ndaj gazetarëve Musa Mustafa dhe Alidin Damati, anëtarë të shoqatës.

Gazetari Musa Mustafa i “Kohës Ditore” dhe Alidin Damati i “Kosovapressit”, janë sulmuar të enjten në pjesën veriore të qytetit, nga një grup ekstremistësh serbë, në momentin kur këta po e bënin punën e tyre, duke e përcjell një protestë të serbëve, për shkak të arrestimit të një serbi nga policia e Kosovës, si i dyshuar për dëmtimin e kontejnerit të vendosur nga policia e Kosovës në zonën e tre rrokaqiejve.
Sipas kumtesës së Shoqatës së gazetarëve të Mitrovicës, Mustafa e Damati janë fyer mbi baza etnike dhe janë penguar në punën e tyre, ndërsa janë detyruar të largohen nga vendi i ngjarjes.
“E tëra kjo ka ndodhur para syve të ushtarëve të KFOR-it, të cilët nuk kanë reaguar fare, ndërsa iu ka dalë në ndihmë vetëm njëri nga dy policët e Kosovës që gjendeshin aty. Duke e dënuar ashpër atakimin e gazetarëve, Shoqata kërkon nga organizatorët e protestave që të mos e pengojnë punën e gazetarëve, por të ndihmojnë ata në realizimin e misionit të tyre”, thuhet në kumtesë.
Kjo shoqatë po ashtu ka kërkuar nga përfaqësuesit e KFOR-it dhe ata të Policisë së Kosovës, që të krijojnë kushte për gazetarë edhe në rastet e protestave të ndryshme, si dhe të mbrojnë ata kur rrezikohen nga njerëz me prirje kriminale.