NBA: Fitojnë Thunder dhe Celtics

Oklahoma City Thunder ka shënuar nëntë pikë radhazi në dy minutat e fundit të ndeshjes për të mposhtur Los Angeles Lakers me rezultat 77-75 dhe për të kaluar në avantazh 2-0 në rundin e dytë të serisë së playoffit.

Kobe Bryant dhe Andrew Bynum që të dy shënuan nga 20 pikë derisa Lakers udhëhoqi 75-68 me dy minuta të mbetura dhe dukej sikur do t’ia shkaktonte disfatën e parë në playoff Oklahomas.
Por në momentet vendimtare të takimit James Harten shënoi katër dhe Kevin Durrant pesë pikë, për të përmbysur rezultatin dhe për ta bërë publikun vendas të ngazëllyer. Durrant shënoi 22 pikë për Oklahoman në gjithë takimin.
Lakers do të kërkojnë të rikthehen në garë në ndeshjen e tretë që zhvillohet të premten në Los Angeles.
Dramë të vonshme nuk pati në sfidën e Konferencës Lindore, ku Boston Celtics mposhti Philadelphia 76ers me rezultat 107-91 për të marrë avantazhin 2-1 në serinë e ndeshjeve.
Kevin Garnett kontribuoi me 27 pikë dhe 13 kërcime, derisa Paul Pierce dhe Rajon Rondo po ashtu shënuan double-double për Celtics. Ndeshja e katërt zhvillohet të premten.