ICO, ekskursion për studentë nga “Kosova veriore”

Pesëmbëdhjetë studentë nga “Mitrovica e veriut” javën e kaluar e vizituan Prizrenin dhe monumentet kulturore dhe historike, në një udhëtim të organizuar nga Zyra e ICO-së në Mitrovicë (ICOM). Për shumicën prej tyre, kjo ishte hera e parë që kishin udhëtuar në jug të lumit Ibër. Por, në komunikatën e lëshuar në gjuhën shqipe, ICO, veriut të Kosovës, i referohet si “Kosova veriore”, dhe rrjedhimisht “veriut të Mitrovicës”, si “Mitrovica veriore”.

Në njoftim bëhet e ditur se gjatë muajve të kaluar janë organizuar pesë ekskursione në pjesë të ndryshme të Kosovës. Në muajt në vijim do të organizohen nga dy ekskursione në javë, deri në muajin shtator. Destinacionet tjera të planifikuara janë Prishtina; Graçanica; Gazimestani; Ura Mesjetare e Vojinovicëve; Qyteza Mesjetare e Novobërdës; Hoça e Madhe; si dhe manastiret e Draganacit, Binaçit dhe Zoçishtës.
“ICOM-i organizon ekskursione të rregullta për qytetarët e Kosovës veriore nëpër vende të ndryshme, si një mënyrë për të krijuar një imazh më pozitiv për pjesën tjetër të Kosovës”, ka thënë zyrtarja për Politika e ICOM-it, Natasa Elezovic.
“Shumë njerëz nga veriu nuk kanë mundësi që ta kalojnë lumin Ibër për ta vizituar Kosovën jugore. Megjithatë, intervistat me grupet e fokusit të zhvilluara nga Ekipi Përgatitor Komunal kanë treguar se ekziston interesim i madh në mesin e serbëve të Kosovës në veri për t’i vizituar objektet fetare dhe kulturore në mbarë Kosovën”, ka thënë ajo.
Grupi që e vizitoi Prizrenin është përbërë nga studentë të moshës nga 18 deri 21 vjeç. Shumica nga ta kanë kërkuar që të marrin pjesë pasi kishin dëgjuar për projektin. Pika e parë e vizitës ka qenë manastiri i Arkangjelit të Shenjtë. Sipas, ICO-s, ata janë mahnitur nga bukuria e peizazhit, por edhe janë zhgënjyer që kishin gjetur vetëm rrënojat.
Kjo, sipas ICO-s ndryshoi kur ata arritën në manastirin e rinovuar rishtazi të Virgjëreshës së Shenjtë të Levishës. Ata gjithashtu kanë pasur rastin që të zbulojnë një kishë katolike dhe një ortodokse ku priftërinjtë dhe murgjit u folën për historinë.
“U ndjeva vërtet e ngazëllyer që erdha dhe i vizitova këto vende. Dëshiroj të kem njohuri për këtë vend dhe për kishat tona. Por nuk kam pritur se do të gjej vetëm rrënoja, kam menduar se do të ketë kisha dhe manastire të paprekura”, ka thënë Stefana, studente nga, siç i referohet ICO, “Mitrovica veriore”