Haliti lobon për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Në Marsej të Francës ka filluar seminari “Rose – Roth” i organizuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, në të cilin po merr pjesë edhe një delegacion nga Kosova, i përfaqësuar nga nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Xhavit Haliti. Pjesë e këtij delegacioni është edhe nënkryetari tjetër i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletic.

 Në këtë takim, i cili do të zgjasë deri më 13 prill, do të debatohet në temën: “Tranzicioni politik dhe ekonomik në vendet e Gjirit Persik, Magreb dhe Mashrek”. Do të debatohet për sfidat e këtij rajoni me dallime të shumta dhe rreziqe potenciale.
Panelet do të përqendrohen tek shoqëritë myslimane, rolin e aktorëve të jashtëm në këtë rajon, për pritjet ekonomike nga Pranvera Arabe, për implikimet e saj në Gadishullin Arabik, si dhe për ndryshimin e dinamikës sociale në Lindjen e Mesme.
Një nga qëllimet e këtij seminari do të jetë nxjerrja në pah e çështjeve që lidhen me tranzicionin demokratik dhe të identifikojë fushat ku bashkëpunimi i gjerë ndërkombëtar do të ishte i dobishëm.
Delegacioni i Kosovës do të shfrytëzojë këtë rast edhe për lobim ndërparlamentar meqë në seminar, përveç vendeve anëtare te Aleancës Veriatlantike dhe Asamblesë së NATO-s, marrin pjesë edhe shumë përfaqësues parlamentesh që janë vëzhgues në Asamblenë Parlamentare, si dhe shumë përfaqësues parlamentesh nga Magrebi, Lindja e Mesme, vendet e Gjirit Persik dhe Afrikës, Parlamenti Evropian, asambletë interparlamentare, përfaqësues nga institute kërkimore, organizata joqeveritare, organizata ndërkombëtare etj.