Zhytja e thellë në baltën e korrupsionit në Kosovë

Gjatë një darke në një nga restorantet më të njohura të Prishtinës, Artani merr një fletore dhe një stilolaps. Ai vizaton disa rrethe me ngjyrë të kuqe, për të ilustruar se sa thellë korrupsioni dhe kushërinjtë e tij të parë - nepotizmi dhe favorizimi i miqve udhëheqin shtetin e dytë më të ri në botë, shkruan Mary Fitzgerald për Irish Times.

Artani (emri i tij nuk është i vërtetë), është në ’30-at e tij dhe punon për të përmirësuar qeverisjen lokale në Kosovë. Shqetësimi i tij për korrupsionin është i qartë kur ai sqaron se si i prek kaq shumë aspekte të jetës këtu nga notimi i studentëve deri te bizneset e mëdha, nga korridoret e pushtetit në fshat - duke krijuar një përzierje toksike që ka njollosur keq emrin e vendit. Megjithatë, Artani preket nga komentet e fundit publike të ambasadori amerikan në Prishtinë, i cili kishte deklaruar se Kosova po "zhytet" në korrupsion.
"Ne të gjithë e dimë se ka një problem, por deklaratat si kjo të japin përshtypjen se të gjithë duhet të fajësohen, e kjo nuk është e drejtë", thotë Artan. "Ka shumë njerëz si unë që duan që këtë çështje ta adresojnë urgjentisht."
Në katër vitet qëkur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, vendi ka bërë përparim të ngadalta kur është fjala për krijimin e shtetit të së drejtës. Nga kjo burojnë një mori sfida tjera, duke përfshirë krimin e organizuar, korrupsionin, trafikimin e drogës e spastrimin r parave që vazhdojnë të pllakosin vendin.
Presidentja e Kosovës, ish komandantja e policisë, Atifete Jahjaga, i di fare mirë vështirësitë për luftuar perceptimet se ky është një shtet i zhytur në ryshfet, dhe se sa i dëmshëm mund të jetë reputacioni tillë kur është fjala për joshjen e investimeve të huaja, për të cilat ka nevojë ekonomia e çaluar e Kosovës."Kam zero tolerancë kur bëhet fjalë për korrupsion, kjo është një nga prioritetet e mia si presidente", thotë Jahjaga, e ulur në zyrën e saj qendrore në Prishtinë. "Unë nuk do të lejojë që korrupsioni të mbajë peng të ardhmen e vendit tonë dhe të ardhmen dhe mirëqenien e qytetarëve të saj".
Deklarimet e tilla të ashpra përmbysen kur tërë vëmendja përqendrohet te arrestimi i fundit për dyshimin për ryshfet të shefit të Task-Forcsë së antikorrupsionit të Kosovës.
Nazmi Mustafi, i cili udhëhoqi njësinë e krijuar më 2010 - brenda zyrës së Prokurorit special, nga ana e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi - është arrestuar për shkak të dyshimeve se ka marrë mito për të hedhur poshtë akuzat për korrupsion kundër individëve të caktuar. "Nuk mund ta shpikni këtë”, thotë me hidhërim një banor i Prishtinës.
Hetim i Mustafit bëhet nga misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, i njohur si EULEX. Ajo ka fuqinë për t’u marrë me rastet që konsiderohen të ndjeshme për të gjyqësorin lokal.
Gazeta Koha Ditore raporton se Mustafi është “marrë me raste të korrupsionit të profilit të lartë, në shumicën e të cilave ka dështuar apo i përfunduar me dënime të pezulluara".
Thuhet se rasti më i madh i Mustafit është përqendruar te Hashim Rexhepi, ish guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës. Rasti është zgjidhur në dhjetor, kur një gjykatë hodhi poshtë aktakuzën kundër tij, duke përmendur mungesën e provave. Pos kësaj, Koha Ditore citon një biznesmen i cili pohon se njëherë e ka korruptuar Mustafin me dhjetëra mijëra euro për t’i shpëtuar hetimit.
Grupet e shoqërisë civile thonë se skandali Mustafi ka ngritur dyshime të mëtejshme në mesin e publikut në lidhje me shkallën e korrupsionit brenda establishemtit të Kosovës, si dhe ka minuar përpjekjet për stabilizimin e sundimit të ligjit.
Instituti Demokratik i Kosovës thotë se arrestimi tregoi se "super-mekanizmat" janë ngritur nga qeveria "vetëm për spektakël dhe për konsumin të brendshëm politik", në vend të çdo synim serioz për të luftuar ryshfetin.
Disa organizata ndërkombëtare kanë paralajmëruar vazhdimisht se Prishtinës i mungon vullneti politik për të luftuar korrupsionin. Thashethemet e vazhdueshme që pretendojnë përfshirjen e nivelit të lartë çojnë te konkludimi se problemi shkon drejtë e në maje.
Në fillim të këtij viti, katër zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorimin e pozitave zyrtare, për evazion fiskal, spastrim të parave dhe krim të organizuar në lidhje me tenderët.
Në një raport të vitit të kaluar, Transparency International përshkruan faktorët që vështirësojnë përpjekjet për të trajtuar këtë çështje, përfshirë këtu edhe mangësitë brenda gjyqësorit dhe mungesën e kapaciteteve brenda organeve qeveritare.
Aty thuhej: "Nëpunësit civilë kanë trajnim të pakët, ndërhyrja politike në procesin e rekrutimit është e madhe dhe pagat e vogla janë dekurajim për të tërhequr personel të kualifikuar”.
"Pos kësaj, ka mungesë të transparencës në prokurimet publike, gjë që ka ngritur dyshimet për korrupsionin në një numër të kontratave të fundit."
Agjencia anti-korrupsion e Kosovës, një organ i pavarur i ngarkuar për zbatimin e politikave për të luftuar dhe parandaluar korrupsionin, së fundmi ka botuar raportin vjetor që thotë se ka informata për 121 vetë të cilët vitin e kaluar janë përfshirë në ryshfete.
Shefi i Agjencisë, Hasan Preteni, thotë se këtu përfshihen pesë kryetarë të tashëm e të dikurshëm të komunave në Kosovë, si dhe zyrtarë tjerë. Ai thotë se vlerësohet se korrupsioni i kushton Kosovës, shtetit me dy milionë banorë, më shumë se 10 milionë euro çdo vit. Të tjerët çmimin e ryshfetin e përcaktojnë shumë më të lartë.
"Cilat janë pasojat?", pyet Pieter Feith, diplomat holandez i cili ka kaluar disa vite në Kosovë si kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare - trup kryesor ndërkombëtar për mbikëqyrjen e shtetit axhami. "Ekonomia nuk mund të zhvillohet, sepse nuk do të ketë investime të drejtpërdrejta të huaja. Në qoftë se një komb ka një reputacion të keq ndërkombëtar, nuk do të ketë investime”, thotë ai.
“Ekziston problemi për normat dhe vlerat për të cilat njerëzit e këtushëm ndjehen të lidhur. Kjo vjen nga vitet e shtypjes, vitet e diskriminimit dhe vitet e dhunës që kanë përjetuar në të kaluarën kosovarët. Njerëzit nuk janë mësuar që të pranojnë se duhet të ketë sundim të ligjit dhe se rregulloret, ligjet duhet të respektohen, sepse përndryshe nuk mund të funksionojë si duhet shoqëria”, shton Feith.
“Kjo nuk është unike për Kosovën, kjo mund të shihet gjithandej në Ballkan dhe më gjerë në rajon. Është një fenomen i cili do të marrë kohë derisa të zhduket tërësisht”.