Kosova në dy vitet e fundit është shndërruar në një prej vendeve më atraktive ballkanike për organizimin e koncerteve të mëdha, kurse kompani të ndryshme kanë ide për koncerte të mëdha gjatë verës. Sidoqoftë, ka disa pengesa në të cilat ata janë duke hasur.
Së fundmi dy prej artistëve më në formë, Wiz Khalifa dhe Pitbull kanë refuzuar oferta të jashtëzakonshme për të performuar në Kosovë. Për arsyet flet Nexhat Morina, promoteri i njohur shqiptar, i cili ekskluzivisht për Telegrafin ka zbuluar detajet.
“Pitbull është në turne me balerinat dhe me gjithë stafin e tij. Ai nuk pranon koncert në palestra apo në ndonjë diskotekë, pos stadiumit. Kështu, oferta është refuzuar nga menaxhmenti i tij”.
“Wiz Khalifa? Edhe ky ka refuzuar që të vijë në Kosovë. Kjo për shkak të kërkesave të larta sa i përket çmimit dhe kërkesave tjera, si hoteli dhe pijet që do të duheshin siguruar për të. Tani është tepër vonë për Wiz Khalifën, pasi unë e kam pasur në dorë ofertën shumë të lirë që ai të mbajë koncert në Kosovë tetorin e vitit të kaluar, por kompanitë nuk ishin të interesuara. Shikoni tani kush është Wiz Khalifa”, ka deklaruar Morina.
Më tej Nexhat Morina ka konfirmuar se Busta Rhymes më 18 gusht do të performojë në Prishtinë, teksa shton se është duke punuar personalisht që të sjellë tri emra tjerë të mëdhenj për të rinjt shqiptarë.