“Na mbroni ose ne do të vetëmbrohemi”

Qytetarët shqiptarë dhe ata të komuniteteve joserbe të veriut të Mitrovicës, kërkojnë veprime urgjente të strukturave të sigurisë të Kosovës.

Përfaqësuesit e banorëve shqiptarë dhe boshnjakë që jetojnë në veri, këto kërkesa i kanë shtruar në takimin e Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Në takim janë shprehur kritika edhe ndaj autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë, sidomos ndaj EULEX-it dhe KFOR-it për mosveprim në veri.
“Na mbroni ose ne do të vetëmbrohemi”, ka thënë Florent Azemi, përfaqësues i banorëve shqiptarë të Lagjes së Boshnjakëve.
Musa Myftari, përfaqësues i organizatës “Bregu i veriut”, përveç kërkesës për rritjen e pranisë së strukturave të sigurisë, kërkoi edhe vendosjen e kamera për të vëzhguar situatën. Ndërsa, Nexhat Uglanin, përfaqësues i komunitetit boshnjak, kërkoi eliminimin e alarmit që përdoret nga strukturat serbe për të ftuar qytetarët serbë në aktivitetet e tyre kriminale.
“Duhet të veprohet, meqë në të kundërtën situata do të del jashtë kontrolli”, ka thënë kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.