Për të arritur marrëveshjen e re me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Qeveria ka kaluar me sukses dy pengesat e para, mirëpo ka zënë në thua në pengesën e tretë. Asaj i kërkohet që të sigurojë edhe miratimin e legjislacionit për operimin e bankave dhe institucioneve mikrofinanciare. Këtë proces, kabineti qeveritar ia ka lënë në dorë Kuvendit. Edhe kredia në vlerë prej 92 milionë eurove, që është paraparë nga ky institucion financiar ndërkombëtar, mbetet në autoritetin e ligjvënësve.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se nuk mund të diskutohet për kredi nga FMN-ja, po qe se nuk aprovohen rekomandimet e kërkuara. E gjithçka varet nga marrëveshja paraprake të cilën Qeveria e Kosovës e ka me këtë institucion. “Është pjesë e marrëveshjes me FMN-në. Janë tri veprime paraprake për shqyrtim në bord, dy kanë përfunduar, ndërsa e treta ka të bëjë më ligjin për bankat dhe institucionet mikrofinanciare. Ky është veprim paraprak, as marrëveshja me bordin e FMN-së nuk mund të kalojë po qe se nuk miratohet ligji”, ka thënë Hamza.
Ai ka theksuar se mosalokimi i 20 milionë eurove deri në shpalljen e fituesit nga procesi i privatizimi të FMN-së dhe aprovimi i Ligjit për fondin e Trustit Pensional, kanë qenë dy rekomandimet e përmbushura me sukses. Ministri i Financave ka theksuar se nuk i takon Qeverisë që të ndërhyjë në procedurat e Kuvendit për të kaluar Ligjin e bankave dhe mikrofinancave. “Qeveria ka aprovuar me kohë këtë projektligj, i ka kaluar të gjitha procedurat edhe në komisionet funksionale. Është nën autoritetin e Kuvendit të vendoset për miratimit e tij”, ka theksuar Hamza, shkruan Koha Ditore.
Fundi i muajit prill është afati kur të gjitha rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar drejtuar Qeverisë duhet të jenë të aprovuara. Rëndësinë e miratimit të Projektligjit për bankat dhe mikrofinancat, Hamza e ka përmendur edhe para deputetëve gjatë seancave plenare.
Opozita ka kundërshtuar procedimin e mëtejmë të versionit të projektligjit, duke e konsideruar atë të papranueshëm dhe në kundërshtim me praktikat dhe ligjet ndërkombëtare në fuqi. Kthimi i organizatave joqeveritare në biznese fitimprurëse për partitë opozitare është veprim kundërligjor.