Veriu, i pashmangshëm

Kosova duhet të bisedojë me njerëzit në veri të vendit, por është e natyrshme që në këto bisedime të përfshihet edhe Beogradi, pasi që ka ndikim të madh në atë pjesë vlerëson ambasadori Albert Rohan.

Ish zëvendësi i të dërguarit të OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisaari, në një intervistë për “Express”, ka thënë se procesi i dialogut mund të fillojë menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi, pasi sipas tij është e qartë se problemi i Veriut ekziston, përndryshe nuk do të flitej për të.
Mirëpo, sipas tij, çfarëdo zgjidhjeje, nuk duhet të dalë jashtë Planit të Ahtisaarit.
Se a duhet të pranojë pala kosovare që të ketë bisedime për veriun, Rohan deklaroi “Unë mendoj se duhet të kemi parasysh situatën realiste, që duhet të jetë se Qeveria e Kosovës, ngjashëm si UNMIK-u para saj, nuk ka kontroll të plotë mbi komunat veriore të Kosovës. Dhe, kjo duhet të ndryshojë, që komunat veriore të riintegrohen në Kosovë. Partneri kryesor në dialog duhet të jenë njerëzit të cilët jetojnë në Veri. Problemi është se liderët atje nuk janë bashkëpunues, dhe bëhet e vështirë që dialogu të zhvillohet me Veriun, me njerëzit atje. Por unë mendoj se ky është drejtimi kryesor”.
Ai theksoi se nuk ka asgjë të keqe që të bisedohet me këdo që është në pozitë të ndihmojë, duke shprehur qëndrimin “... Sa për ta bërë të qartë se çështja e statusit është e qartë, asgjë nuk do të ndryshojë, kufijtë janë caktuar dhe nuk do të ndryshojnë. Dhe përderisa këto aspekte të jenë të qarta, atëherë duhet të bisedohet me këdo që mund të ndihmojë”.