Thaçi fton sekretarin Ban Ki-moon ta vizitojë Kosovën

Nga Kosova kërkohet të ketë sa më shumë njohje, ndërsa strukturat ilegale kriminale serbe duhet të shpërbehen. Kështu tha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi menjëherë pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon.

Në një intervistë për Kosovapress, ai ka njoftuar se e ka ftuar sekretarin Ban Ki-moon-in që këtë vit ta vizitojë Kosovën, dhe është shprehur i bindur se kjo do të ndodh.
Thaçi takimin me sekretarin e OKB-së e ka quajtur një takim jashtëzakonisht të mirë dhe produktiv.
Ndërsa sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai thotë se ka shprehur shqetësimin e tij për, siç e quan, zvarritjen e këtij procesi nga ana e Serbisë.
I pyetur për qëndrimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon lidhur me gjendjen në veri, Thaçi tha “ishte një qëndrim mbështetës në përpjekjet tona të përbashkëta për rend, qetësi për sundim të ligjit, për dënim të incidenteve dhe në asnjë rreth të mos lejohet që grupe të ndryshme, në veçanti strukturat ilegale kriminale serbe flas, mos të lejohen që të zhvillojnë aktivitetet e tyre, dhe shtrohet domosdoshmëria e shpërbërjes komplete të të gjitha këtyre strukturave”.
Ndërsa, sa i përket zgjedhjeve lokale të Serbisë, Thaçi tha se assesi nuk do të mbahen në Kosovë.