FSK trajnohet nga Ushtria e Turqisë

Një grup prej 33 pjesëtarëve është nisur për në Turqi për tu trajnuar në Operacionet mbështetëse të paqes.

Agim Çeku, ministër i FSK-së, tha se ndjehet tejet i lumtur që Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Turqisë, kanë ofruar mundësi trajnimi për FSK-në për pjesëmarrje në operacionet paqësore kudo nëpër botë.
Në ceremoninë e përcjelljes së Togut të FSK-së për në Republikën e Turqisë, mori pjesë edhe kolonel Yucel Keles, përfaqësues i Ushtrisë Turke në Kosovë, i cili shprehu kënaqësinë që ky projekt që buron nga Marrëveshja bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë Turke po realizohet dhe se trajnimi i FSK-së për Operacione Mbështetëse të Paqes është njëra prej formave të mbështetjes që Ushtria e Republikës së Turqisë ka ofruar për FSK-në.
Togu i Forcës së Sigurisë të Kosovës, (33 pjesëtarë), të cilët udhëtuan për në Turqi, do të zhvillojë një trajnim (22 mars-26 prill), në Brigadën e 28 të Korpusit të Tretë të Forcave të Armatosura të Ushtrisë së Turqisë dhe në Qendrën e Partneritetit për Paqe, në Ankara.
Qëllimi i këtij trajnimi është përgatitja e pjesëtarëve të FSK-së, për Operacione Mbështetëse të Paqes.