Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nisur ndërrimin e elektrofiltrit të njësisë A5 të Termocentralit “Kosova A”. Punët po kryhen sipas dinamikës së paraparë dhe pas katër muaj e gjysmë blloku do të ketë emetimin brenda standardeve më të reja të Bashkimit Evropian. Emisionet e gazrave nga ky bllok do të jenë të njëjta si ato në BE. .
Menaxhmenti i lartë i KEK-ut ka inspektuar punimet dhe ka verifikuar se punët po kryhen brenda kontratës. Punët është duke i implementuar kompania me nam botëror nga Gjermania, Hamon Envoirmental në konzorcium me kompaninë Intering, e cila kishte fituar tenderin për vendosjen e elektrofiltrave të rinj.
“Nga ky projekt ambiental përfitojnë shumë qytetarët përreth termocentralit si ata të Obiliqit, Fushë Kosovës dhe Prishtinës. Ambienti do të jetë shumë më i pastër, që është një tregues i qartë se KEK-u i sotëm është kompani e orientuar të jetë sa më miqësore ndaj ambientit”, tha Arben Gjukaj, Drejtor Menaxhues i KEK-ut.
Përfaqësuesit e kompanisë që po e implementon projektin janë shprehur të përkushtuar t’i kryejnë punimet pikë për pikë me kontratën.
Vendosja e elektrofiltrit të ri është pjesë e projektit më madhor ambiental të KEK-ut. Në bazë të projektit do të ndërrohen elektrofiltrat e njësive aktive të TC “Kosova A”, përkatësisht A3, A4 dhe A5. Pas elektrofiltrit të njësisë A5, do të nisë menjëherë ndërrimi i njësisë A3 dhe do të zgjasë deri në tremujorin e tretë, kur nisë ndërrimi i elektrofiltrit të njësisë A4. Ndërrimi nuk po bëhet të njëjtën kohë sepse duhet ndalur blloku deri në momentin e ndërrimit të plotë të elektrofiltrit. Projekti do të përfundojë në tremujorin e parë të vitit 2013 dhe ka koston prej mbi 25 milionë eurosh, investim vetanak i KEK-ut.
Ndërrimi i elektrofiltrave është një nga 4 faktorët që si pasoje e degradimit te mehereshem dhe teknologjisë se trashëguar ishin identifikuar si ndotës nga ekspertët e ambientit.. KEK është duke punuar në eliminimin e të katër ndotësve dhe në vitin 2013 ambienti ku operon KEK-u do të jetë shumë më i pastër dhe jeta e qytetarëve shumë më kualitative.
Pos elektrofiltrave, KEK ka në përfundim e sipër edhe projektin për mbulimin e kodrës së hirit pranë TC “Kosova A”, ndërtimin e sistemit hidraulik të bartjes së hirit dhe asgjësimin e mbi 20 mijë tonë substanca të rrezikshme. Të gjitha këto projekte do të përfundojnë brenda këtij viti.