Zgjedhjet serbe cenojnë sovranitetin

Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, qofshin ato lokale, parlamentare apo presidenciale, është e papranueshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me parimet dhe ligjet ndërkombëtare, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike - kushtetuese në Kosovë.

Ata i quajnë jo konstruktive dhe tejet të dëmshme deklaratat e fundit të përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, i cili ka thënë se zgjedhjet lokale serbe në Kosovë janë krejtësisht të papranueshme, por ato parlamentare, sipas tij, mund të mbahen nën organizimin e OSBE-së, duke pasur parasysh që në Kosovë ka qytetarë me shtetësi të dyfishtë.
Por, Riza Smaka, ekspert i çështjeve juridike - kushtetuese, vlerëson se lejimi eventual i mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë, ashtu siç thotë në deklaratën e tij Zbogar, është krejtësisht në kundërshtim me principet evropiane, por edhe të drejtën ndërkombëtare.
“Nuk ka bazë. Në shtetin e huaj, kjo është e paprecedentë. Nuk njihet ndonjë rast nga e drejta ndërkombëtare publike, që organizon një shtet zgjedhje në shtetin tjetër. Ata që e kanë dyshtetësinë, kanë pretendime dhe aspirata për të realizuar këtë të drejtë, mund të shkojnë në shtetin tjetër. Do të thotë, serbët le të shkojnë në Serbi dhe lë të votojnë atje, ne qoftë se e kanë dyshtetësinë. Por, jo në Kosovë dhe jo që të organizohen dhe mbahen këtu”, tha Smaka për Radio Evropa e Lirë.
Edhe eksperti tjetër i çështjeve juridike-kushtetuese, Mazllum Baraliu, e quan të papranueshme mbajtjen e çfarëdo zgjedhjeve nga ana e Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.
“Duhet t’i thuhet Zbogarit që ka ligje të shtetësisë, të cilat lejojnë edhe shtetësinë e shumëfishtë, por në asnjë mënyrë nuk lejohet në asnjë shtet, që të mbahen zgjedhjet e një shteti të huaj në një shtet tjetër sovran. Kjo askund në botë nuk lejohet. Është, po ashtu, për keqardhje dhe e papranueshme që OSBE-ja t’i organizojë ato, që tashmë ka status të tij dhe qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës – një organizatë e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të autorizohet që të maje zgjedhje, të cilat janë jo legjitime”, thotë Baraliu.
Mbështetja e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, nga kushdo qoftë, thotë Baraliu, paraqet cenim të sovranitetit të vendit dhe, sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të reagojnë.
Edhe Smaka, vlerëson se institucionet duhet të reagojnë në mënyrë të vendosur përballë organizimit eventual të çfarëdo zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Sidoqoftë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se zgjedhjet serbe në Kosovë do të trajtohen si ilegale.
Ndërkaq, Kuvendit i Kosovës, përmes një rezolute, e ka obliguar ekzekutivin e vendit që të mos e lejojë fare mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.