Një temë e rëndësishme e bisedimeve në takimin e NATO-s në Bruksel, ka qenë edhe misioni i KFOR në Kosovë. Aktualisht, NATO nuk parashikon një reduktim të trupave të KFOR-it për sigurinë në veri të Kosovës, por konsideron se zgjidhja më e mirë është politike dhe jo ushtarake.
“Ne mbështesim procesin e dialogut Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ne nuk duhet të habitemi, që një dialog i tillë të fillojë normalisht me çështje teknike të cilat duan një zgjidhje, dhe gradualisht këto bisedime teknike mund të kalojnë në dialog politik. Në eksperiencën time, kjo është e natyrshme”, ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Anders Fogh Rasmussen.
Ndërkohë, pala shqiptare ka propozuar që të shtohet presioni nga komuniteti ndërkombëtar, lidhur me shpërbërjen e strukturave paralele në veri të Kosovës.
“Gjithashtu, komuniteti ndërkombëtar në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje politike, duhet t’i kushtojë një vëmendje më të madhe lidhjeve të Beogradit me veriun e Kosovës. Pra, të përpiqet të bëjë një presion pozitiv, në kuptimin që situata politike dhe në përgjithësi situata në veri të përmirësohet”, ka deklaruar zëvendësministri shqiptar i Mbrojtjes, Arjan Starova.