Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka reaguar të enjten për veprimet e zëvendëskryeministres, Edita Tahiri e cila ka keqpërdorur paratë e taksapaguesve në Ditën Ndërkombëtare të Grave, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të saj.
RrGGK-ja vlerëson se parat e taksapaguesve do të duhej të ishin përdorur për të luftuar për të drejtat e grave e jo për përfitime personale.
Dorëheqja e Edita Tahirit, sipas RrGGK-së është kërkuar po ashtu për shkak të këtyre arsyeve “rrënimi i sovranitetit të Kosovës nëpërmjet kompromiseve shumë të dhimbshme, përkatësisht duke ringjallur rezolutën 1244, e cila praktikisht hap rrugën për ata të cilët kanë dhunuar gratë gjatë luftës të hyjnë sërish dhe të kryejnë krime të ngjashme në të ardhmen; dështimi gjatë negociatave për të përmendur krimet e kryera ndaj grave gjatë luftës, ose për të promovuar këtë çështje publikisht, përkundër shumë premtimeve tuaja për të bërë kështu dhe dështimi për të raportuar në Kuvendin e Kosovës, dhe duke dështuar kështu të jeni e përgjegjshme dhe transparente me përfaqësuesit e zgjedhur në Kosovë për negociatat, gra dhe burra”.
Po ashtu, RrGGK ka dërguar një letër ministrit të Financave, Bedri Hamza, nga i cili kanë kërkuar që të siguroj dhe përcaktoj nga tani e tutje që “Të gjitha shpenzimet që kanë të bëjnë me Ditën Ndërkombëtare të Grave, nëse ka, duhet të harxhohen vetëm për ngjarjet që kontribuojnë direkt në zhvillimin e të drejtave të grave, siç përcaktohet nga Plani Kombëtar i Veprimit të Republikës së Kosovës’.
Sipas RrGGK-së paratë e taksapaguesve nuk duhet të harxhohen në lule, përfitime personale, mëditje, dhurata, organizime ose çdo ngjarje e formave të ndryshme thjesht për argëtim.
“Të gjitha planifikimet strategjike dhe organizimet që financohen nga qytetarët e Kosovës, edhe ato që nuk kanë të bëjnë me Ditën Ndërkombëtare të Grave, duhet të mbahen në Kosovë në mënyrë që të ruajmë paratë e taksapaguesëve dhe të përkrahim ekonominë lokale”, thuhet më tej në letrën e RrGGK-së dërguar ministrit Hamza.